OSBE: Përfaqësimi i grave shqiptare në vendim-marrje, një sfidë e vazhdueshme për institucionet dhe shoqërinë civile

01/11/2021 20:19

Në Tiranë, organizatat perëndimore, që ndihmojnë zhvillimin e demokracisë dhe të drejtave njerëzore, nxitën institucionet dhe shoqërinë civile të zgjerojnë më tej përfaqësimin e grave dhe vajzave në institucionet vendim-marrëse.

OSBE dhe organizata të tjera zhvilluan sot një konferencë të përbashkët me zyrtarë dhe veprimtarë vendas, në 21 vjetorin e miratimit të Rezolutës së OKB-së “për Gruan, Paqen dhe Sigurinë”.

Rezoluta 1325 e OKB-së, e miratuar 21 vjet më parë, u bëri thirrje kombeve për të rritur përfaqësimin e grave në të gjitha nivelet vendimmarrëse, sidomos në çështjet e paqes dhe sigurisë, fusha ku gratë janë pjesa më shumë e dëmtuar e shoqërisë.

Prania e OSBE-së në Shqipëri i kushton një vëmendje të madhe integrimit gjinor dhe së bashku me organizatat partnere mbështet përpjekjet për miratimin dhe zbatimin e Planit të Kombëtar të Veprimit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, thotë ambasador Vincenzo del Monaco, kreu i Pranisë së OSBE-së në Shqipëri.

“Shoqëria civile është thelbësore për zhvillimin e planeve kombëtare të veprimit, për zbatimin e tyre praktik, duke filluar nga masat që lidhen me aksesin në drejtësi, identifikimin, mbrojtja dhe rehabilitimi i viktimave, për të promovuar gratë në pozicione drejtuese, në misionet e paqes të vendit jashtë vendit, zbatimin e ligjit në vend dhe politikëbërjen si brenda ashtu edhe ndërkombëtarisht” – thotë ambasadori Del Monaco.

Ai theksoi se organizatat për të drejtat e grave dhe shoqëria civile janë thelbësore në përcaktimin e agjendës kombëtare, në formësimin e politikave, si edhe në monitorimin dhe llogari-dhënien e aktorëve shtetërorë për këto qëllime. Organizatat ndërkombëtare vlerësuan se vitet e fundit Shqipëria ka shtuar përfaqësimin e grave në sektorin e sigurisë; ato zënë 17% të personelit ushtarak dhe mbi 14.3% të Policisë së Shtetit. Zëvendës kryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, thotë se Kuvendi i Shqipërisë ka 49 deputete nga 140 deputetë gjithsej ose mbi 35 për qind e vendeve në të, ndërsa Qeveria ka 12 ministre nga 16 ministra gjithsej, duke tejkaluar edhe mesataren europiane.

“Janë përfshirë shumë gra e vajza në institucionet kryesore të vendit, por e gjitha kjo praktikë duhet të zbaresë nga niveli qendror në nivelin lokal, në mënyrë që të gjithë gratë e vajzat të ndjehen të mbështetura më mirë nga përfaqësueset e zgjedhura prej vet radhëve të tyre” – thotë zonja Felaj.

Shqipëria miratoi 5 vjet më parë një strategji për barazinë gjinore 2016-2021 dhe qershorin e kaluar miratoi strategjinë e re 2021-2030. Vëzhguesit pohojnë se megjithë shtimin e grave dhe vajzave në institucione, ato ende nuk po arrijnë të ndikojnë në ndryshimin e gjendjes për mijëra gra të tjera, që jetojnë në kushte tepër të vështira me varfëri dhe dhunë në familje dhe papunësi e punësim të pakët e të keqpaguar./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA