Mbi 5 milionë të vdekur nga COVID-19 në të gjithë botën

01/11/2021 20:45

Mbi 5 milionë njerëz në të gjithë botën kanë humbur jetën si pasojë e COVID-19-ës. Qendra që monitoron dhe informon publikun mbi situatën lidhur me pandeminë, në universitetin “John Hopkins”, e njoftoi shifrën e zymtë ditën e hënë.

Vetëm disa muaj më parë, në qershor, numri i të vdekurve si pasojë e pandemisë së koronavirusit arriti në 4 milionë.

Shifra e re vjen ndërsa disa vende vazhdojnë të hasin vështirësi në sigurimin e vaksinave, në një kohë kur një pjesë ka nisur të vaksinojë popullsinë me dozën përforcuese.

Në një letër të hapur, drejtuar udhëheqësve të vendeve anëtare të Grupit të Njëzetëshes, që u takuan në Romë, Organizata Botërore e Shëndetësisë vinte theksin tek pabarazia në shpërndarjen e vaksinave mes vendeve të pasura dhe atyre me të ardhura të ulëta.

Hendeku aktual demonstron një mospërfillje për jetën e më të varfërve dhe më të pambrojturve në botë“, thuhej në deklaratë.

Për çdo 100 persona në vendet me të ardhura të larta, janë ofruar 133 doza vaksinash, ndërsa në vendet me të ardhura të ulëta, vetëm 4 doza për 100 persona”.

Në letrën e OBSH-së thuhej se pabarazia në shpërndarjen e vaksinave po merr çdo ditë jetë njerëzish dhe vazhdon të rrezikojë të gjithë.

Historia dhe shkenca e bëjnë të qartë: veprimi i koordinuar me qasje të barabartë në burimet e shëndetit publik është mënyra e vetme për t’u përballuar me plagë globale të shëndetit publik si COVID-19. Ne kemi nevojë për një shtytje të fortë e kolektive për të shpëtuar jetë, për të zvogëluar vuajtjet, si dhe për të siguruar një rimëkëmbje të qëndrueshme globale”, thuhet më tej në deklaratën e OBSH-së./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA