Të shtëna me armë zjarri në Laprakë, mbeten të plagosur dy persona. Reagon Policia
SPAK merr të pandehur kreun socialist të Bashkisë Mallakastër Qerim Ismailaj dhe dërgon kërkesën për gjykim në GJKKO. Ismailaj u kallëzua më 3 gusht në SPAK nga Partia Demokratike për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, ku parashikohet një dënim deri në 4 vjet burgim.
Në njoftimin e sotëm nga SPAK, thuhet se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, më datë 07.09.2021, ka regjistruar procedimin penal me Nr.236/2021, në ngarkim të shtetasit Qerim Ismailaj, me funksion Kryetar i Bashkisë Mallakastër, si i dyshuar për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal.
Në kuadër të këtij procedimi penal janë kryer një sërë veprimesh hetimore dhe në përfundim është konkluduar se shtetasi Qerim Ismailaj, ka konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 190, paragrafi i parë i Kodit Penal, e për rrjedhojë, i është komunikuar akuza, është marrë me cilësinë e të pandehurit dhe janë përfunduar hetimet.
“Sot me datë 01.11.2021 nga Prokuroria e Posaçme është dërguar kërkesa për gjykimin e çështjes pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në ngarkim të të pandehurit Qerim Ismailaj, me funksion Kryetar i Bashkisë Mallakastër, për kryerjen e veprës penale ‘Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” të parashikuar nga neni 190 paragrafi i parë i Kodit Penal’”, njofton SPAK.
Top Channel