Në emisionin “Open”, në Top Channel po diskutohet për dhunimin e një vajze të mitur, e cila ndodhet e shtruar në spital në gjendje të rëndë.
Drejtori i Përgjithshëm i CRCA / ECPAT, Altin Hazizaj tha se shqiptarët janë duke paguar taksa kot sepse sistemi që ka për detyrë të heq viktimën nga kthetrat e autorit, nuk arrin që ta identifikojë fare si rast, jo më ta parandalojë atë.
“Sa i gatshëm është sistemi i mbrojtjes së fëmijëve të parandalojë këtë ngjarje? Për aq kohë sa kemi raste dhe sistemi është i paaftë të gjurmojë, raportojë, evidentojë dhe të gjejë autorin, të heqë viktimën nga kthetrat e tij do të thotë që kemi një sistem të paaftë. Çfarë bën një armatë e tërë e psikologëve në shkolla, mësuesve, të gjithë këta njerëz që janë këtu për të asistuar fëmijët nuk arrijnë dot të gjejnë një rast të vetëm si të kësaj vajze. Pse i paguajmë taksat?” tha Hazizaj.
Po ashtu eksperti Ervin Karamuço u shpreh se në Shqipëri emergjencë kombëtare është dhuna që ka kapëluar një shoqëri të tërë.
“Emergjencë kombëtare në Shqipëri është dhuna, që na ka kafshuar të gjithëve, një shoqëri të tërë. Ajo fëmijë me traumë nesër është një kosto për të gjithë ne. Sistemi i referimit të dhunës dhe për ata me probleme të shëndetit mendor. Nëse ka një strehë të madhe që ne paguajmë taksa është ky rast. ne nuk kemi një sistem të konsoliduar për këtë temë”, tha Karamuço.
Top Channel