Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) të Maqedonisë së Veriut, deri në ora 15:00 janë përpunuar 96,64 për qind e të dhënave sipas së cilave të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar 433.475 qytetarë ose 33,58 për qind.

Të drejtë vote në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale kanë 1.353.990 persona në gjithsej 2.481 vendvotime në të gjithë vendin, ndërsa votimi vazhdon deri në orën 19:00.

Kryetari KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, në konferencën e radhës për media përsëriti se votimi në zgjedhjet lokale vijon pa pengesa.

Ai theksoi se deri më tani, në KSHZ kanë arritur 311 ankesa në lidhje me mbrojtjen e të drejtës së votimit.

Dashtevski tha se përpos disa vështirësive teknike në fillim të ditës së votimit që janë tejkaluar, nuk janë paraqitur probleme të reja me terminalet për identifikimin biometrik të votuesve, që përdoren për herë të parë në zgjedhjet lokale.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të vendit që deri në orën 19:00 të dalin dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës dhe dita e zgjedhjeve të përfundojë e qetë, pa parregullsi, siç ka ndodhur deri më tani”, tha ai.

Raundi i dytë i zgjedhjeve të shtata lokale në Maqedoni realizohet në 44 komuna dhe qytetin e Shkupit, pasi në raundin e parë u zgjodhën kryetarët e 34 komunave.

Këto janë zgjedhjet e shtata lokale në Maqedoninë e Veriut në të cilat do të zgjidhen udhëheqësit e rinj lokalë për katër vitet e ardhshme. Zgjedhjet e fundit lokale në vend u mbajtën në vitin 2017.

Top Channel