ilustrim

Autoritetet portuale greke në bashkëpunim me forcat e marinës detare dhe ato të rojës bregdetare kanë përfunduar sot në agim një operacion shpëtimi të rreth 400 emigrantëve që ndodheshin në një anije mallrash në lindje të Kretës, një nga operacionet më të mëdha të shpëtimit në Mesdheun Lindor.

E shoqëruar nga barkat e Rojës Bregdetare, anija është rimorkuar pasi kishte defekt të motorit, në ishullin Kos dhe 380 emigrantë u dërguan në Qendrën e Pritjes dhe Identifikimit të ishullit.

Emigrantët,kryesisht afganë dhe pakistanezë kanë mbetur ne mes te detit pa ushqim, ujë dhe kujdes mjekësor për katër ditë.
Më herët një emigrante ka zbritur në ishullin e Karpathos, për të marrë ndihmën e parë pasi ishte e sëmurë, ndërkohë që 6 persona që ndodheshin në bord po merren nën hetim.
Gjithë të tjerët kanë kryer testin për koronavirus dhe kanë rezultuar negative. Pasi është bërë regjistrimi i parë,do vijojë procedura e parashikuar nga komisioni i azilit, ndërsa ata do të qëndrojnë në karantinë në këtë strukturë për 15 ditë.

Anija – me flamur turk – që ishte nisur nga Turqia është bërë përsëri mollë sherri mes autoriteteve greke e atyre turke. Për herë të dytë dje dhoma e operacioneve të Rojës Bregdetare Turke refuzoi kërkesën greke për t’u kthyer anija tek porti nga i cili ishte nisur , në Izmir apo në Kas . Turqia madje I është referuar konventave ndërkombëtare dhe ka këmbëngulur qe anija të ankorohej “në portin më të afërt të sigurt mes kushteve të pafavorshme të motit”.

Sipas ministrit te Emigracionit dhe Azilit, Notis Mitarakis, “Greqia ka dëshmuar edhe një herë se mbron jetët e njerëzve në det dhe siguron mbrojtje, në një kohë kur të tjerët janë indiferentë ndaj detyrimeve të tyre. Ne e kemi paralajmëruar BE-në se Turqia ka refuzuar të marrë mbrapsht anijen e saj, kurse Greqia ka shpëtuar qindra mijëra njerëz në shtatë vitet e fundit.”- ka thënë ai.

Edhe ministri i Marinës Detare Giannis Plakiotakis ka denoncuar Turqinë se “sillet si pirat në Mesdheun Lindor dhe vazhdon të jetë indiferente ndaj jetës njerëzore”.

Peripecia në fjalë ka marrë edhe përmasa europiane me Athinën zyrtare që në fillim ka njoftuar se anija lundronte në ujërat ndërkombëtare dhe i ka bërë kërkesë BE për të ndërhyrë që Turqia të merrte pas anijen , zhvillim që nuk parashikohet nga e drejta ndërkombëtare në këto raste ,ndaj dhe më pas është bërë me dije se do të ndiqej procedura ligjore.

Top Channel