Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim përfaqësuesit e Fondacionit për Shoqëri të Hapur (OSF), zëvendëskryetarin Alexander Soros, drejtoren ekzekutive të OSF-së për Evropë dhe Euroazi, Daniela Schëarzer, drejtorin ekzekutiv të OSF-së në Kosovë, Luan Shllaku dhe drejtorin ekzekutiv të OSF-së në Shqipëri, Andi Dobrushi.
Kryeministri Kurti foli për menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe procesin e mirë të vaksinimit të popullatës, për të cilin Kosova tashmë po prinë në rajon, si edhe për rritjen ekonomike që Banka Qendrore e Kosovës e parasheh të arrijë 9,9%.
Në këtë drejtim u theksua kontributi i mërgatës në rritjen ekonomike dhe rëndësia e përfshirjes së saj në zhvillimin e mëtejshëm të vendit nëpërmjet Fondit të Ekselencës.
U bisedua edhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe synimin e përbashkët të rajonit për integrim në Bashkimin Evropian.
Në takim u prezantua projekti më i ri i Fondacionit për Shoqëri të Hapur në Kosovë, një bashkëpunim ky me kolegjin „Riinvest“, që ka për qëllim promovimin e agjendës së gjelbër nëpërmjet një qendreje e cila ofron edukim për administratë, për sektorin privat dhe shoqërinë civile, si edhe ligjërata dhe bashkëbisedime mbi temat më të rëndësishme për avokimin e politikave të gjelbërta.
Theks të veçantë pati nxitja e qeverisjes edhe më të mirë dhe kryeministri Kurti potencoi rëndësinë e e-qeverisjes dhe të dhënave të hapura. Përfaqësuesit e OSF-së u shprehën shumë optimistë me programet që do t‘i implementojnë, nëpërmjet të cilave Qeveria e Kosovës do ta ketë potencialin që në dy vitet e ardhshme të jetë qeveria më transparente dhe më e hapur në rajon.
Top Channel