Klubi i Futbollit Vllaznia njofton se nuk do të lejojë pjesëmarrjen e tifozëve të Tiranës, në ndeshjen e sotme dhe shkak është gjuha e urrejtjes, që sipas tyre po qarkullon në rrjete sociale.
Tensionet disa vjeçare mes dy tifozerive dhe sinjalizimet për dhunë kanë detyruar klubin shkodran drejt këtij vendimi drastik.
Në një reagim publik, Vllaznia shkruan se e ka njoftuar Federatën Shqiptare të Futbollit dhe Klubin e Futbollit Tirana për mesazhet e dhunës dhe fyerjeve që grupimi “Tirona Fanatics” ka shpërndarë në rrjetet sociale, por deri tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Reagimi i Vllaznisë:
Klubi i Futbollit Vllaznia është i angazhuar maksimalisht në organizimin sa më të mirë të ndeshjes Vllaznia-Tirana duke u kujdesur maksimalisht për një qëndrim korrekt të tifozerive respektive në shkallët e stadiumit. Konstatohet se grupimi “Tirona Fanatics” përmes faqes së tij zyrtare, në njoftimin dhe përgatitjen e tifozerisë tiranase për të marrë pjesë në këtë takim, ka lëshuar fyerje të cilat nxisin dhunë dhe janë të papranueshme për principet dhe misionin e futbollit.
Përsa më sipër, ditën e djeshme kemi njoftuar Federatën Shqiptare të Futbollit dhe Klubin e Futbollit Tirana për marrjen e masave të menjëhershme dhe heqjen e fjalëve të papërshtatshme në postimin e këtij grupimi. Por, përtej angazhimit dhe mirëkuptimit të FSHF-së dhe Klubit Tirana, deri sot në mesditë nuk ka patur asnjë reagim duke mbetur e njëjta situatë. Përsa më sipër, KF Vllaznia me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të situatave të dhunës, do të mbajë të mbyllura tribunat E4 dhe E5 të planifikuara për grupimin e tifozëve të Tiranës.
Top Channel