Pensionistët me indeksimin që qeveria parashikon të bëjë në vitin 2022 mund të sjellin një rritje nga 250 lekë për pensionet në fshat deri në 600 lekë për pensionet në qytet.
Por kjo rritje dëmtohet për shkak të inflacionit i cili në muajin shtator shkoi në 2.5 përqind.
Nëse norma vazhdon dhe rritet pensionistët mund të përballen me kosto të shtuara në muajt e mbetur të vitit. Shtesat e tyre nga indeksimi nuk do të mjaftojnë për të përballuar shtrenjtimin e produkteve të shportës sipas profesorit Mateo Spaho:
“Po të shikojmë produktet e shportës për shkak të rritjes së naftës, miellit dhe energjisë do të përcillen këto kosto te ushqimet dhe produkte të përditshmërisë. Qeveria duhet të rishikojë buxhetin dhe të vendosi ca prioritete të tjera”.
Në buxhetin e 2022-it qeveria parashikon një rritje pagash në nivelin 6% për të paktën 1/3 e administratës, që do t’i sjellë arsimtarëve, mjekëve dhe policëve nga 1 600 deri në 4 700 lekë më shumë në xhepat e tyre.
Për pensionistët buxhetin e vitit të ardhshëm është krijuar fondi për bonusin në fundvit, i cili do të jepet në masën 5 mijë lekë, por qeveria nuk ka parashikuar rritje të pensioneve dhe kjo mund ta dëmtojë edhe më shumë këtë kategori nga rritja e çmimeve që pritet të vijë.
Top Channel