The Economist i është rikthyer temës së blerjes së armatimeve nga ana e Serbisë, duke theksuar sesi shtete të tjera të ish Jugosllavisë po shqetësohen se ushtria serbe po ngrihet me shpejtësi “nga hiri”.

Mjaftoi një mosmarrëveshje e vogël në kufirin me Kosovën, thuhet në shkrim, që Beogradi ta kthente në një show force duke patrulluar në zonë me avionë luftarakë, ndërsa vendosi në terren mjetet e blinduara për të ushtruar presion mbi fqinjin e saj më të vogël.

Gjatë viteve 2015-2021, shpenzimet e Serbisë në fushën e mbrojtjes janë rritur me rreth 70 për qind, dhe aktualisht janë 1.4 miliardë dollarë në vit. Rusia dhe Bjellorusia i kanë dhuruar nga 10 avionë luftarakë Mig-29.

Nga Moska i mbërritën dhe 30 tanke dhe transportues të blinduar për personelin ushtarak, si edhe një sistem i mbrojtjes ajrore. Po ashtu Beogradi ka blerë dronë të blinduar kinezë, helikopterë rusë, dhe një sistem raketor francez tokë-ajër.

Këtë muaj, ministri i Mbrojtjes njoftoi se Serbia është në negociata për blerjen e avionëve të transportit dhe helikopterë nga kompania e njohur “Airbus”.

The Economist kujton ndërkohë se muajin e kaluar, pati jehonë të madhe edhe lajmi se Beogradi është në bisedime edhe me Izraelin për të blerë raketa anti-tank, ndërsa nuk përjashtohet as mundësia e blerjes së dronëve turq, të cilët duket se kanë një efekt të madh shkatërrues.

Sa i përket buxhetit të mbrojtjes, Serbia ia kalon Shqipërisë, Bosnjës, Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut të marra së bashku. Nëse Serbia thjesht do të ishte duke modernizuar forcat e saj të mbrojtjes, ky nuk do të përbënte shqetësim.

Por konteksti është ai që ngre alarmin, pasi Bosnja është sërish në mesin e trazirave politike, me liderin serb të saj, Milorad Dodik që paralajmëron shkëputjen e republikës Srpska, ndërsa gazetat e kontrolluara nga qeveria serbe, shkruajnë vazhdimisht se lufta me shqiptarët e Kosovës apo kroatët është e afërt.

Top Channel