Qytetarët shqiptarë po paguajnë çdo ditë e më shumë për karburantet, që kanë parë sërish një rritje të ndjeshme ditët e fundit.

Në pikat e tregtimit me pakicë, një litër naftë tregtohet deri në 186 lekë, rreth 9 lekë më shumë se në fillim të këtij muaji, kur çmimi i naftës ishte 177 lekë.

Që prej fillimit të vitit kur nafta tregtohej me gati 148 lekë, çmimet e naftës janë rritur në mënyrë të vazhdueshme për të prekur këtë nivel rekord.

Po me gati 9 lekë që prej fillimit të tetorit është rritur edhe benzina, ku çmimet e saj luhaten nga 185 deri në 188 lekë në pikat e karburanteve në kryeqytet.

Ndërsa çmimi i gazit që po ashtu ka ndjekur një trend në rritje që prej fillimit të vitit, aktualisht rezulton në nivelet e 87 deri në 89 lekë për litër, duke mos pësuar luhatje në raport me fillimin e këtij muaji.

Çmimi i naftës në bursa ka parë një shtrenjtim së fundmi duke bërë që një fuçi nafte të tregtohet për 85 dollarë dhe rritja paralajmërojnë ekspertët do të vijojë edhe më tej, çka pritet më pas të reflektohet edhe në tregun vendas.

E në fakt shtrenjtimi i saj në tregjet ndërkombëtare evidentohet edhe si arsyeja kryesore e rritjes së çmimit të karburanteve në vendin tonë, duke shtuar edhe taksat e larta që rëndojnë mbi to, çka bën që Shqipëria të renditet si një ndër vendet me çmimin më të lartë të naftës në Europë e botë.

Së fundmi, qeveria ka rishikuar edhe politikën e taksave për mallrat e akcizës bazuar në nivelin e inflacionit apo unifikimin e akcizës së gazit për karburante dhe ngrohje në 6 lekë/litër çka do mund ta bëjë të pashmangshme një shtrenjtim të mëtejshëm të çmimeve të karburanteve në vend.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA