Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç e kaloi topin në fushën e Bashkimit Europian e tha se pret përgjigjen e bllokut në lidhje me deklaratën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se Kushtetuta e Kosovës nuk do të ndryshohet për shkak të krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Vuçiç u shpreh se kjo është punë për BE-në.
“Nëse nuk duan të ndryshojnë Kushtetën, atëherë e kemi kuptuar mesazhin e tyre. Ne po presim ndërkohë përgjigjen e BE-së”, tha kreu i shtetit serb.
Refuzimi i Prishtinës për të zbatuar atë që është zotuar të bëjë me marrëveshjet e Brukselit “flet më shumë për të sesa për Beogradin”, ishte komenti i tij.
Osmani deklaroi më herët se Kosova nuk do të lejojë zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin ashtu siç është nënshkruar në Bruksel, sepse, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka vlerësuar atë si jokushtetuese.
Prishtina dhe Beogradi e arritën në 2013-ën marrëveshjen e themelimit të Asociacionit me ndërmjetësimin e bllokut europian. Për Osmanin, në atë formë, ajo ujdi krijon përçarje të mëdha. Duke komentuar deklaratën e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se njohja reciproke do të ishte ideale për normalizim marrëdhëniesh midis Kosovës dhe Serbisë, Vuçiç tha sakaq se kjo nuk është një gjë e re, por është “politikë e SHBA-së prej tre vitesh tashmë.
“Ne nuk kemi nevojë për njohjen e tyre, ç`na duhet, ne jemi të njohur nga të gjithë”, u shpreh ai.
Top Channel