Vetëm një ditë pas shkarkimit të Ronald Koeman, presidenti i Barcelonës Joan Laporta është shfaqur në konferencën për shtyp në krah të trajnerit të përkohshëm Sergi Barjuan, i cili do të drejtojë skuadrën në sfidën e nesërme ndaj Alaves.
Numri një i klubit katalan u shpreh se merr përgjegjësitë që nuk e shkarkoi më shpejt trajnerin Koeman, për të cilin tha gjithsesi se gëzon respekt e konsideratë për punën që ka bërë .
“Sigurisht marrëdhënia me Koeman mund të shkëputej më shpejt, pasi gjërat dukej që nuk po shkonin mirë, megjithatë për këtë e marr unë përgjegjësinë. Pasi e konfirmova herën e parë, ne mposhtëm Valencian dhe Dinamon e Kievit, por së fundi situata u bë e papranueshme”, deklaroi Laporta.
Emri i ish kapitenit, Xavi Hernandez është ai që po lakohet më së shumti për të marrë drejtimin e katalanëve, ndërsa Laporta shfaqi ende rezerva, ndonëse zbuloi se flet çdo ditë me ish mesfushorin, që aktualisht drejton Al Saddin.
“Mund të them se ndaj Alaves dhe Dinamos së Kievit në mesjavën e ardhshme, trajner do të jetë Sergi Barjuan, pasi duam të mos mbetemi mbrapa në kampionat. Nuk mund të zbuloj emrat e kandidatëve për trajner, pasi është jo profesionale, por ju garantoj se po punojmë për të nënshkruar. Xavi po bën shumë mirë te Al Sadd dhe të gjithë më flasin mirë për të. Për më tepër, edhe unë vetë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm gjatë këtyre dy muajve dhe ai e di mirë organikën që kemi në dispozicion dhe çfarë duhet të bëjmë për të dalë nga kjo situatë, megjithatë nuk ka ende një marrëveshje”, shprehet Laporta.
Top Channel