“San Siro” drejt fundit të ekzistencës, bashkia e Milanos jep lejen për stadiumin e ri

29/10/2021 18:09

Stadiumi mitik i Milanos, “San Siro” është në vitet e fundit të ekzistencës, pasi më në fund është ndezur drita jeshile, që dy klubet e kryeqendrës ekonomike të Italisë, Milani e Interi të ndërtojnë një impiant të ri, modern.

 

Negociatat mes palëve kanë nisur prej më shumë se dy vitesh dhe pas një lufte të gjatë me bashkinë e Milanos, por edhe disa modifikimeve në projekt, më në fund duket se ka ardhur miratimi që të nisë puna.

Lajmin e ka dhënë vetë kryebashkiaku i Milanos, Beppe Sala, i cili pas një takimi me përfaqësues të të dy klubeve, u shpreh se tashmë është arritur marrëveshja në çdo detaj dhe shumë shpejt pritet të nisë puna.

Bashkia ka dhënë miratimin për kapacitetin, volumin dhe sipërfaqen që do të zërë impianti i ri dhe gjithashtu ka lënë në ngarkim të klubeve rikualifikimin e zonës ku ndodhet stadiumi aktual, në një hapësirë të gjelbër, në shërbim të komunitetit.

Stadiumi aktual do të vijojë të ekzistojë deri në përfundimin e impiantit të ri dhe në rastin më të keq, deri në 2026-ën, pasi është parashikuar që aty të mbahet ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore, që do të mbahen pikërisht në Itali.

Vetëm pas këtij eventi, nëse do të ketë përfunduar ndërtimi i stadiumit të ri, atëherë dy klubet e Milanos mund të nisin nga puna për shembjen e të vjetrit dhe rikualifikimin e zonës përreth.

Ndërtimi i stadiumit të ri pritet të ketë një kosto të konsiderueshme për klubet e Milanos, por në afatgjatë, do të rritë ndjeshëm të ardhurat kur të ketë përfunduar, pasi do të jetë i pajisur me infrastrukturën më moderne për të gjeneruar sa më shumë të ardhura./ Supersport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA