Rusia përdor gazin si armë në Moldavi, BE në alarm

29/10/2021 16:25

BE-ja ka dhënë alarmin se Rusia është duke përdorur gazin natyror për të shantazhuar Moldavinë, njëri prej vendeve më të varfra të kontinentit të vjetër. 

Moldavia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për energji javën që shkoi pas skadimit të kontratës së saj të gazit me kompaninë shtetërore ruse, Gazprom, në fundin e muajit të kaluar.

Dy palët nuk kanë arritur të gjejnë gjuhën e kompromisit për detajet e një marrëveshjeje të re afatgjate.

Gazprom e zgjati kontratën deri në fundin e tetorit, duke e rritur çmim në 790 dollarë për metër kub për dallim nga 550 dollarë sa ishte muajin e kaluar, një goditje e fortë për Moldavinë.

Në terma globalë, rritja e çmimit të gazit në gjithë botën nuk është pasojë e përdorimit të furnizimeve me gaz si armë, por në rastin e Moldavisë është pikërisht kështu”, deklaroi shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Joseph Borell.

Putini po e ngrin këtë vend, thotë shtypi gjerman, sipas të cilit Moska e përdor prej kohësh rubinetin e gazit për të nënshtruar Moldavinë, e duket se tashmë, kërkon ta shtrijë edhe më tej këtë strategji të saj. Europa është në krizë për shkak të furnizimit me gaz.

Kudo politikanë dhe opinioni publik debatojnë, nëse Rusia në muajt e ardhshëm do të ofrojë në mënyrë të mjaftueshme gaz, apo nëse Putini në mënyrë artificiale po krijon probleme me furnizimin me gaz për të pasur një mjet presioni politik duke e bërë kontinentin të ngrijë këto muaj dimri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA