Presidenti amerikan Joe Biden u takua me Papa Franceskun në Vatikan, fillimisht në një audiencë private e më pas në një takim më të gjerë, ku nga pala amerikanë ishin të pranishëm edhe sekretari i Shtetit Antony Blinken, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan dhe zëvendës shefja e Kabinetit e Shtëpisë së Bardhë Jen O’Malley Dillon.

Ky është i pari takim i Bidenit me kreun e Kishës Katolike që prej zgjedhjes së tij në krye të Shtëpisë së Bardhë, por personalisht e ka takuar edhe tre herë të tjera.

Joe Biden, presidenti i dytë katolik në të gjithë historinë e SHBA-së pas  John F. Kennedy, është një besimtar i devotshëm dhe nuk e humbet kurrë meshën e se dielës. Ai krenohet me besimin e tij prej nga ku thotë se i buron dhe fuqia për tu përballur me tragjeditë personale si vdekja e gruas së tij të parë dhe vajzës në një aksident me makinë, e më vone, edhe largimi nga jeta i djalit Beau për shkak të kancerit.

Paskëtaj, Biden do të  marrë pjesë në takimin e 20 vendeve më të pasura të botës (G-20) që mbahet në Romë si dhe në një samit të madh mbi klimën (COP26) që zhvillohet në Glasgou të Skocisë.

Në takimin e klimës, presidenti amerikan nuk shkon me paketën gjigante të investimeve në samitin botëror të klimës në Glasgou, siç ishte planifikuar.

Ai gati e ka përgjysmuar paketën sociale  të klimës, edhe pse sërish parashikohen investime në fushën e energjive të rigjenerueshme apo stimuj tatimorë për blerjen e automjeteve elektrike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA