Inter sqaron situatën me Eriksen dhe pret dëmshpërblim nga UEFA

29/10/2021 09:21

Christian Eriksen vijon të qëndrojë larg fushave të lojës, që prej atakut kardiak që pësoi në ndeshjen Danimarkë-Finlandë në Euro 2020, ndërsa së fundi është bërë edhe objekt bisede në Asamblenë e Aksionarëve të klubit të Interit.

Drejtuesit zikaltër kanë vënë në dijeni aksionarët se pesha në bilanc e fantazistit danez është pak më tepër se 18 milionë euro dhe se presin që të marrin një dëmshpërblim nga UEFA, pasi lojtari u ndal pikërisht në një aktivitet të organizuar nga qeveria europiane e futbollit.

“Duke iu referuar Christian Eriksen, pesha e tij në bilanc ishte 18.3 milionë euro në qershor të këtij viti, ndërsa aktualisht futbollisti është ndalur për probleme shëndetësore që dolën në pah në Euro 2020. Aktualisht autoritetet mjekësore italiane nuk japin aprovimin që ai të luajë me ne këtë sezon, për shkak të rrethanave shëndetësore, por në kampionate të tjera, është e mundur që ai t’u nënshtrohet testeve dhe të luajë.

Që grupi të procedojë me shitjen e lojtarit në një kampionat tjetër, është e vështirë të arrihet vlera e tij në bilanc, prej 18.3 milionë eurosh, për shkak të rrethanave, që stepin klubet e tjera të paguajnë një shifër të atillë. Megjithatë për një vlerësim të kësaj situate ka ende paqartësi dhe në të ardhmen do të kryhen të tjera ekzaminime mjekësore, për të vendosur më pas mbi mënyrën e procedimit”, thuhet ndër të tjera në deklaratën për Eriksen.

Thënë ndryshe, në kampin zikaltër shpresojnë ende që Eriksen të mund të bëjë pa defibrilatorin artificial që ka vendosur, në mënyrë që të mund të rikthehet të luajë në Serinë A, pasi vetëm kështu mund t’ia rritin sërish vlerën dhe të mos regjistrojnë humbje në bilanc.

Nëse futbollisti nuk ia del, atëherë te Interi do të marrin në konsideratë shitjen e tij në një tjetër kampionat, ku mund të luajë edhe me defibrilatorin artificial, në mënyrë që të lirohet nga paga e tij e majme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA