Ekzekutimi horror në SHBA/ I dënuari dridhet dhunshëm, vjell në tryezë pas injeksionit fatal në Oklahoma (fotot)

29/10/2021 20:52

Pas një moratoriumi pesë vjeçar, shteti amerikan i Oklahoma ka kryer dje ekzekutimin e tretë të dështuar me injeksion fatal, kur i dënuari John Marion Grant vdiq pas disa minutash dridhjesh epileptike dhe të vjellave të pakontrolluara, para dëshmitarëve të shokuar në sallë.

60 vjeçari Grant ishte dënuar për vrasjen e gardianit të burgut Gay Carter më 13 nëntor 1998, të cilin e goditi 16 me thikë, teksa kryente një dënim për grabitje dhe armëmbajtje pa leje.

Thuajse menjëherë pas injeksionit, Grant nisi konvulsione të forta trupore  dhe volli mbi vete, sipas gazetarëve dëshmitarë të Associated Press.

Ata thonin se Grant vazhdonte të merrte frymë për disa minuta teksa vijonte të dridhej dhunshëm. Ai volli përsëri ndërsa grupet e mjekëve kryen një test të gjendjes se tij.

Pasi u shpall i pandëgjegjshëm  në orën lokale 4:15 pasdite, zyrtarët injektuan dozën e dytë të kimikateve vrasëse, deri sa ai ndaloi frymëmarrjen në 4:17, dhe u shpall i vdekur në 4:21 pasdite.

Gazetarët thonin se nga 14 ekzekutime që kishin dëshmuar, kjo ishte hera e parë që i dënuari villte.

Ekzekutimet në burgjet e Oklahoma ishin pezulluar  pas një procedure të dështuar në 2014 kur një i burgosur kishte mbetur duke marrë frymë në agoni për disa minuta, si dhe një ngatërrese të injeksioneve në 2015.

Të dënuarit me vdekje në Oklahoma tani injektohen me tre mjekimet e aprovuara  që përzihen në koktejlin: midazolam, bromid vekuroniumi dhe klorid potasiumi.

Aktualisht 44 të dënuar presin dënimin me vdekje në Oklahoma.

Avokatja e Grant, Sarah Jernigan tha në një deklaratë pas ekzekutimit se klienti i saj ishte penduar për vrasjen e Carter por ka qenë një viktimë e përjetshme e institucioneve të Oklahoma që nuk i dhanë kurrë kujdesin e merituar për shendetin mendor.

Grant kishte vuajtur më parë nga neglizhimi si fëmijë dhe kishte jetuar në rrugë.

“John Grant merr përgjegjësi për vdekjen e Gay Carter, ai kaloi shumë vjet i dënuar me vdekje dhe përpiqej të kompensonte për veprimet e tij. Por nuk duhet të harrojmë fajin e shtetit të Oklahoma në këtë histori.”

“Kur John vidhte për t’u ushqyer ose për t’u veshur bashkë me vëllezërit e tij, Oklahoma e quante atë kriminel, në vend të fëmijës së dëshpëruar e traumatizuar që ishte. John u dërgua në qendrën e burgosjes së të rinjve kur nuk ishte as adoleshent”, tha avokatja Jernigan.

“Rrjedhimisht shteti i Oklahoma e lëshoi atë përsëri nëpër rrugë pa aftësi për të punuar e pa mbështetje për trazirat mendore që i përkeqësoheshin gjatë viteve, teksa ai ishte si viktimë dhe dëshmitar i abuzimeve si rrahje, përdhunime apo periudhave të zgjatura te izolimit,” shtoi ajo.

FOTO GALERI
1/5
Oklahoma ka kryer dje ekzekutimin e tretë të dështuar me injeksion fatal

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA