Dinamo rikthehet në Tiranë, me Kukësin për herë të parë Superiore

29/10/2021 08:56

Dinamo dhe Kukësi do të matin forcat në ndeshjen e parë të javës së shtatë të Abisnet Superiore këtë të premte në stadiumin “Air Albania”, ku do të regjistrojnë dhe takimin e tyre të parë në elitën e futbollit shqiptar. Edhe pse janë përballur disa herë në Kupën e Shqipërisë, tani muzika ndryshon.

Kjo përballje do të jetë akoma dhe më e veçantë për Dinamon, që do të luajë ndeshjen e parë në kryeqytet në Superiore që nga viti 2012. Pas vetes blutë do të kenë dhe tifozerinë, të cilët në takimet e para ishin të detyruar të udhëtojnë drejt Elbasanit për të ndjekur ekipin e tyre.
Dinamo do të ketë provën e të vërtetës, ndaj një kundërshtari që këtë edicion i ka bërë gjërat si duhet.

Pas suksesit në takimin me Skënderbeun, të besuarit e Bledi Shkëmbit kanë qetësinë e duhur për të përgatitur ndeshjen me kuksianët. Trajneri Shkëmbi nuk pati në dispozicion në ndeshjen në Korçë Enis Gavazajn dhe Ali Samake, për të cilët do të vendosë stafi mjekësor nëse do të jenë të gatshëm për takimin me verilindorët.

Sfidë e veçantë do të jetë dhe për kapitenin Agim Ibrahimi dhe mbrojtësin Besir Demiri, të cilët do vihen përballë ish skuadrës së tyre ku u aktivizuan edicionin e shkuar.

Verilindorët në krahun tjetër kanë bindur me lojën e zhvilluar në javët e para, duke prodhuar raste e shënuar gola më shumë se çdo skuadër tjetër, së bashku me Vllazaninë. Ndaj Dinamos do të kërkojnë të konfirmohen si një ekip pretendent, duke tentuar një sukses në kryeqytet.

Nga tre transfertat e luajtura deri më tani, Kukësi ka arritur që të fitojë vetëm një prej tyre, ndaj Egantias në ndeshjen e parë të sezonit. Suksesi ndaj Vllaznisë në javën e gjashtë mund të jetë një motiv më shumë për Kukësin që të kërkojë vazhdimësinë edhe në takimin me dinamovitët./ SS

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA