Basha i kërkon Ramës të votojë vettingun: Lëri punët e demokratëve, se nuk ka gjë që të shpëton ty

28/10/2021 11:42

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha këtë të enjte i kërkoi kryeministrit Edi Rama që të votojë vettingun në politikë, duke i garantuar atij se do të jetë personi i parë që do hyjë në filter. Basha tha se më pas mund të vijë vetë Rama dhe të gjithë deputetët e politikanët me radhë.

Për kryedemokratin procesi i vettingut për politikanët nuk duhet të fillojë nga plaku, duke nënkuptuar me këtë ish-kryeministrin Sali Berisha, por nga më i riu dhe për një proces të tillë del garant se do të jetë personi i parë që do kalojë në këtë filter.

“Mos ta fillojmë nga plaku, por nga i riu, e bëj unë i pari vettingun dhe ti i dyti dhe të gjithë të tjerët në këtë sallë, nga i pari te i fundit. E ke të thjeshtë do i japësh fund këtij monologu që bën këtu ku ka shteruar edhe mundësia për të mos përsëritur të njëjtat figura letrare”, tha ai.

Basha i kërkoi kryeministrit Rama që t’mos merret me punët e demokratëve, se nuk ka gjë që e shpëton atë, për t’i dhënë fund këtij rrugëtimi me të në krye.

Voto vettingun në politikë dhe lëri punët e demokratëve dhe nuk ka gjë që të shpëton ty për t’i dhënë fund këtij rrugëtimi me mua në krye”, tha ai.

Basha mendon se këtu ka një betejë mes 30 viteve llum tranzicioni dhe maja e llumit sipas tij është Edi Rama. Ai thekson se maja nuk i takon vetëm një partie, por edhe demokratëve, për të cilët shprehet se kryeministri pasi e peshoi mirë këtë pjesë të llumit, e përdori, duke e hedhur kundër opozitës.

Sakrifica e demokratëve në emër të shqiptarëve nuk do shkojë kot. Masakra e 25 prillit nuk do mbajë gjatë dhe trekëndëshi i Bermudës i ka ditët e numëruara. Shpëtim nga ajo që i keni hy në hak shqiptarëve nuk keni për të pas. Një pas një, brinjët e trekëndëshit të Bermudës do bien, shqiptarëve do u hapet rruga e mbyllur për 30 vite”, tha Basha.

Vetingu i politikanëve është një propozim i hershëm i opozitës, i kritikuar në vitin 2018 nga Komisioni Europian për Demokraci përmes Ligjit ose siç njihet ndryshe, Komisioni i Venecias. Basha ka deklaruar se amandamentet e reja janë në përputhje me opinionin e “Venecias”.

Venecia thotë se këtë proces duhet ta kryejë një njësi e posaçme e strukturës së Posaçme Antikorrupsion, SPAK, që të marrë përsipër një për në çdo deputet, kryetar bashkie, ministër apo kryeministër, krerët e institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të pavarura, në raport me lidhjet e tyre apo të familjarëve të tyre me krimin,” ka deklaruar më herët Basha.

Socialistët nga ana tjetër dorëzuan në Kuvend kërkesën për amendim të Kushtetutës, duke kërkuar zgjatjen me 30 muaj të mandatit të institucioneve të vettingut. Çdo amendim kushtetues kërkon konsensus mes palëve në Kuvend dhe shumicë cilësuese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA