Tërmeti/ Xhaferraj-Ahmetajt: 50 viktimat i shkaktoi masakra urbane. Ju përfitoni edhe nga fatkeqësia

28/10/2021 10:48

Deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinant Xhaferraj në një interpelancë me zv.kryeministrin dhe ministrin për Rindërtim, Arben Ahmetaj ka thënë se tërmeti ekspozoi faktin se qeveria është e gatshme të përfitojë edhe nga fatkeqësia.

Xhaferraj tha se 50 viktimat i shkaktoi masakra urbane dhe jo tërmeti, ndërsa shtoi se 24 orë pas tërmetit u rrafshuan sheshet për të humbur gjurmët pa dalë përgjegjësia.

Po me tërmetin ç’patët. E vetmja vlerë madhore e kësaj interpelance është se po krijon bindje qytetareve se ju duhet të ju lënë të flisni. Ç’më thoni për tërmetin? Flisni në fund të tetorit, kur kryeministri thotë se brenda qershorit të 2021 kemi mbaruar punë. Në fund të tetorit qytetarët akoma kanë nga dy muaj pa marrë bonusin e qirave. E kuptoni ku jeni me tërmetin.

E para mbani një përgjegjësi dhe SPAK duhet ta hetojë, jo se kush i shkaktoi 50 viktimat. Por se 24 orë pas tërmetit rrafshuat sheshet për të humbur gjurmët pa dalë përgjegjësia. Në Durrës nuk ka vrarë tërmeti, por masakra urbane.

Kjo është historia me tërmetin, një turp i paparë. Tërmeti ekspozoi një gjë, ju jeni të gatshëm të përfitoni edhe nga fatkeqësia”, tha Xhaferraj.

Në lidhje me këtë çështje, ministri Ahmetaj theksoi se në datë 10-12 nëntor do të bëhet hedhja e shortit për shpërndarjen e apartamenteve në Krujë dhe me datë 15 do të bëhet në Durrës dhe Lezhë.

Sot janë 15 mijë familje që trajtohen me bonus qiraje, janë dhënë rreth 5 mld lekë për bonusin e qirave. Përfituesit nga programi i rindërtimit janë rreth 49 mijë. Shpërndarja do bëhet me short për të shmangur keqkuptimet, për transparencë. Hedhja e shortit në Krujë, nga data 10-12, në Durrës me datë 15, në Lezhë me datë 15′, tha Ahmetaj.

Kujtojmë se mëngjesi i 26 nëntorit ku vendi u trondit nga një tërmet me magnitudë 6.4 të shkallës rihter la një plagë të pashërueshme për familjet dhe të afërmit e 51 viktimave të tij. Tërmeti shkaktoi dëme të mëdha materiale dhe shembjen e qindra banesave, duke lënë pa strehë shumë familje kryesisht në Thumanë dhe në disa zona të Durrësit.

Qindra të plagosur, la pas ajo dridhje e fuqishme e tokës, kryesisht  në Durrës, Kurbin, Tiranë e Lezhë. Shembje pallatesh, shtëpish, shkolla e institucione të tjera. Thirrjet dëshpëruese të familjareve që të afërmit i kishin nën rrënoja,  sirenat e autoambulancave, policisë, zjarrfikësve, ushtrisë, ushtonin ngado.

Top Channel