Seanca plenare e kësaj të enjte ka nisur me një debat mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Shkak i këtij debati ishte deklarata e kryeministrit Rama, i cili theksoi se në kohën kur PD qeveriste vendin, mbahej hunda me dorë nga e era e keqe.
“Ndryshimi mes nesh e jush është se juve sytë u janë imunizuar prej shumë vitesh nga plehrat, shëmtia, deformimi se ndryshe nuk do ishit krenarë pa kthim për gjithë masakrën urbane që keni lejuar e promovuar si një mrekulli të tetë të botës në Shqipëri. Në kohën që ju qeverisnit duhej dalë me duart në hundë e në sy për mos parë e mos marrë erë. Kjo është karakteristika e qeverisjes suaj historikisht, kemi një konflikt estetik”, tha Rama.
Pas kësaj deklarate, kryetari i PD-së Lulzim Basha reagoi ashpër, duke nënvizuar se nëse ka diçka që duhet të mbash duart në hundë është era e keqe që ka kapur këtë sallë të këtij regjimi.
“Ajo që bëni ju ka lidhje vetëm me babëzinë për para dhe pushtet që ju ka zënë sytë. Kjo babëzi nuk ju pengoi ta ngrini kullën 50 kate me të gjithë bosët e kokainës. Mbase ta thonë se kush bos kokaine ka rezervuar në ndërtesën më të lartë në Shqipëri. Ti që na flet ne për shijen, për bukurinë, neve të PD-së që na kanë quajtur si Partia më e bukur e lindjes, na flet që të mbajmë hundën me dorë. Sigurisht që do ta mbajmë hundën me dorë sepse kishte një gropë aty dhe 11 vite kryetar bashkie nuk e mbylle“, tha Basha.
Por nuk vonoi shumë edhe reagimi i kryeministrit Rama, duke i thënë se duhet ta gëlltiste këtë fjalë që i ka mbirë në majë të gjuhës dhe të matet mirë kur flet, ndërsa i kujton që të bëhet burrë, sepse i ka ardhur sërish shansi, por që nuk po e shfrytëzon dot.
“Kanti thotë “kur dikush të akuzon për diçka që nuk e ke bërë, ose e ka bërë vetë, ose do ta bënte vetë në vendin tënd”. Kur vihesh përballë akuzash të tilla është në fakt barra e akuzuesit të provojë akuzën, jo e të akuzuarit që nuk e ka bërë atë për të cilën akuzohet. Por zotëria më dha një mundësi për shkak të paaftësisë së tij proverbiale në raport me shifrat që unë të përgjigjem thjesht”, deklaroi Kryeministri.
Për kreun e PD-së Edi Rama është njeriu i vetëm në vend që përcakton se kush do të fitojë tendera dhe kush jo. Basha tha se të vetëm tendera që kalojnë me procedurë të rregullt janë vetëm ato nga fondet e BE-së.
“Është akt i vetëdijshëm, ti ke vendosur prioritet kullat e korrupsionit dhe oligarkisë. Ke vendosur që të kesh prioritet tenderat e pandemisë. T’i vidhje me një grusht njerëzish. Këto janë vendime të tuat nuk janë aksidente. Nuk janë as tërmeti as pandemia, je fatkeqësia e këtij vendi. Të vetmet tendera me procedurë korrekte janë ato të BE-së, të cilët t’i i urren”, tha Basha.
Ai theksoi se tarifat e vendosura për çdo tender janë mbi 1 milion euro, duke i bërë thirrje Kryeministrit që t’i marrë letrat ku i ka futur dhe t’i shohë ato se si tenderat e tij nuk kanë as konkurrencë pasi janë paracaktuar.
“Tarifat e tua për çdo tender mbi 1 mln euro në zyrën tënde i di gjithë Tirana. Merri letra kudo ku i ke futur ndoshta i ke akoma tek zyra e zv.kryeministrit, ndoshta tigri i ka djegur, merr e shikoji sesi në tenderat e tua nuk ka konkurrencë i ke përcaktuar ti. Java zgjedhore Bashkia Durrës ndan 60 mln euro për rindërtimin. Ne nuk duam të bëjmë lojëra fjalësh me ty, ty ta kanë pirë lëngun të gjithë edhe ato që mendon se i ke akoma miq. Këtë sallë duhet t’ua kthejmë shqiptarëve. Ke frikë vettingun e politikanëve si djalli temjanin”, tha Basha.
Kryeministri ka vazhduar t’i përgjigjet kreut të PD-së, duke theksuar se 400 familje sot rrinë në çadra, sepse kanë më afër tokën dhe gjënë e gjallë, por qeveria vazhdon t’u japë bonusin e qirasë
“Kjo parti është partia më e bukur e lindjes ‘give me a break’. Mos vazhdo të flasësh sikur je akoma në pelenat e mjekut, bëhu burrë dhe mos hajde këtu me akuza, shpifje, por me argumente. Sa për ata që gdhihen në çadra, se ti zgjohesh shumë vonë, dhe kur ti zgjohesh ata janë në punë. Në çadra që nga dita e parë dhe sot janë 400 familje, por siç ke kërkuar dhe gërmuar më para dhe nuk gjete gjë mund të shkosh dhe gërmosh nëse nga ata që janë në çadra nuk vazhdojnë të marrin bonusin e qirasë”, tha Rama.
Sipas tij, ata rrinë në çadra jo se i kemi lënë ne, por se ndryshe nga ty punojnë, e nxjerrin bukën me punën e tyre, nuk i ka mbajtur njeri në krah me vite të tëra duke i prezantuar diku, po bëjnë atë që ti ke bërë sikur e ke bërë. Ata rrinë në çadra sepse e kanë larg tokën, fermën, gjënë e gjallë nga zonat ku mund të marrin apartamentet.
“Kur i qan hallin të tjerëve dhe sidomos popullit mban një erë hipokrizie ore ti Lulzim sa edhe ata që janë me ty aq vështirë e kanë ta përballojnë se edhe ata e kanë gënjyer veten e gdhihen e ngrysen me idenë je ti apo s’je ti. Kjo nuk është puna ime. Puna ime është të kujtoj që kur vjen këtu e bënë të fortin kujtohu ca ke bërë. Mendohu sa shumë gjëra di Tirana dhe Shqipëria për ty. Ke një mundësi ti shmangesh këto dhe të shmangesh te faktet e argumentet nëse i ke hajde ti ballafaqojmë. Ka shumë argumente që mund të jenë vlerë e shtuar, por këto me të fortin na e kurse dhe kurseja shqiptarëve dhe pranë njerëzve mos e përsërit më. Derisa ta tregosh se je gati të rrish pranë hë të keqen vëllai se të kam xhan”, deklaroi Rama.
Më shumë se gjithçka tjetër ajo që tërhoqi vëmendjen këtë të enjte në sallën e Kuvendit nga debati mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut demokrat Lulzim Basha, ishte atakimi për herë të parë dhe i drejtpërdrejtë i kryedemokratit ndaj Presidentit të Republikës, Ilir Meta.
Në fjalën e tij Basha i thotë Ramës që të fillojë edhe ai një foltore ashtu si Berisha! Më pas ai shton: “Thuaj se më ka marrë malli për Berishën dhe Metën, shko dhe ti në foltore zotëri, ose fillo tënden. Bëni trekëndëshin e Bermudës dhe qani hallet, jam këtu për të qarë hallet e shqiptarëve dhe as të Metës e as të Berishës dhe as të atyre që ju rrinë nga mbrapa ju.
Kryedemokrati theksoi më tej se Rama nuk duhet të ketë frikë dhe të mos belbëzojë, por të pranojë se prej 8 vitesh e ka marrë peng Shqipërinë prej egos së sëmurë dhe për këtë arsye, sipas tij, duhet të heqë dorë nga fyti i SPAK dhe të tregojë pendesë.
“Ti ke vetëm një rrugë, të pranosh që ke 8 vjet që e mban vendin peng të egos tënde të sëmurë. Të tregosh pendesë, të heqësh duart nga fyti i SPAK, të votosh vettingun në politikë dhe të lejosh që PS e marrë peng në bodrumet e oligarkisë dhe krimit të organizuar të ketë guximin të jetë në betejë të barabartë me PD-në”, tha Basha.
Ndonëse Basha i ka mëshuar shumë kësaj çështje, Rama thotë se do të diskutohet me ekspertët dhe nëse është shpëtimtare për vendin ata do e votojnë. Por në rast se rezulton si “komardare e fëmijëve që fryhen me gojë”, do i thonë Bashës të bëjë rolin e peshkaqenit të gomës.
“Ta kuptoj se ku e ke hallin me atë vettingun tënd. Është gjetje e lodhur, se nuk ta beson njeri ty. Megjithatë nuk e diskutoj, i qëndroj parimit që kam thënë. Hajde ta diskutojmë me ekspertët tanë dhe tuaj, si të doni ta bëni, mbi cilat praktika bazohet, në cilat vende ka treguar se ka sukses, nëse ne na del se kjo nismë është shpëtimtare për vendin, patjetër që do ta votojmë, nëse është komardare si ato të fëmijëve që fryhen me gojë për të bërë sikur notojnë në formë peshkaqeni, atëherë ne do të themi Lulzim vazhdo vëlla, bëj rolin e peshkaqenit të gomës, që të mbahesh nga peshkaqeni i foltores. Le ta ndajmë këtë, keni ekspertë plot, çdo gjë që i shërben interesit të vendit, ne na keni pro”, tha Kryeministri.
Basha tha se qëllimi i PD-së është që ta largojë sa më parë atë dhe qeverinë e tij nga ajo sallë, ndërsa theksoi se duhet patjetër që të ndryshojë ligji themelor dhe t’i hapin rrugë vettingut të politikanëve, sipas të cilit, Rama i frikësohet njësoj si djalli temjanit.
“Ti nuk u gjendesh pranë njerëzve në fatkeqësi, por i sheh ata si votues që duhet t’i shantazhosh, blesh, frikësosh, me qëllim që të mbash me çdo kusht pushtetin. Arsyeja jonë nuk është për të bërë lojëra fjalësh se ty ta kanë pirë lëngun të gjithë, qëllimi ynë është të të largojmë sa më parë nga kjo sallë dhe të gjithë kalorësit e korrupsionit dhe t’ia kthejmë këtë sallë shqiptarëve”, tha kryedemokrati.
Kryeministri ka reaguar ndaj Bashës, duke i thënë që t’u dalë zot njerëzve dhe të mos i lërë rrugëve.
“E them me krenari se sa njerëz kam takuar unë, nuk i kanë takuar të tërë kryeministrat, ndërsa zotrote nuk ka takuar as njerëzit e partisë tënde dhe më tregon mua çfarë është të jesh pranë njerëzve. Ti je vonë për ta mësuar, por të paktën dilu zot njerëzve të tu e mos i lër rrugëve. Mos hajde këtu të bësh leksione morali e të ndysh shtëpitë e shqiptarëve që sa herë del, ul dhe ngre hajdutë, kriminelë e bosë se nuk ta ka borxh njeri. Arsyeja pse nuk fiton nuk janë as kriminelët, as bosët, por je ti. Me këtë mënyrë të foluri nuk të beson askush. Ti gënjen veten tënde dhe të tjerët për njëfarë kohe, ndrysho sa nuk është vonë”, tha Rama.
Pas debateve të njëpasnjëshme me kreun e demokratëve, në fund të fjalës së tij, kryeministri Rama vendosi të largohet nga salla e Kuvendit pak momente para se kryedemokrati të merrte fjalën. Pa praninë e kryeministrit në sallën e Kuvendit, Bashës nuk i mbeti asgjë tjetër veçse të ironizonte largimin e Ramës, duke theksuar se po shkon të qetësohet në dhomën ngjitur nën cilësinë e “miellit”.
Më tej kryedemokrati foli edhe për raportin e FMN-së, që sipas Ramës, nuk ishte mbi pandeminë në vend, por për ekonominë në Shqipëri. Basha, duke lexuar të dhënat nga ky raport, u shpreh se: “Të dhënat e FMN nuk i ndryshoni dot, por shpjegojani që të mos dalë këtu për faqe të zezë. Të mos i ikë këtij fakti, siç i iku sallës së Kuvendit”.
Top Channel