Të paktën 300 breshka deti kanë dalë të vdekura në brigjet meksikane të Paqësorit.
Analizat paraprake sugjerojnë se breshkat ngjyrë ulliri (Lepidochelys olivacea) ishin mbytur nga uji, tha një zyrtar i ministrisë së mjedisit të Meksikës.
Zyrtari tha se ka gjasa që breshkat e detit të kishin ngecur në rrjetat e peshkatarëve ilegalë në det të hapur ose në rrjeta të tjera të braktisura që njihen në vend si “rrjeta fantazmë”.
Breshkat ngjyrë ulliri listohen si të rrezikuara nga Unioni Ndërkombëtar i Mbrojtjes së Natyrës.
Autoritetet thonë se popullata e tyre është duke u reduktuar, dhe ato listohen so të rrezikuara pasi lëshojnë vezët vetëm në një numër të kufizuar vendesh.
Breshkat u gjetën në plazhin Morro Ayuta në Oaxaca, në brigjet perëndimore të Meksikës. Ky plazh është një nga vendet ku këto breshka bëjnë foletë për vezët e tyre.
Eksperti vendas Ernesto Albavera Padilla tha se të gjitha kafshët e vdekura ishin femra.
Kjo nuk është hera e parë që breshkat e ullinjta gjenden të vdekura në Oaxaca. Në vitin 2018 peshkatarët gjetën në zonë 300 prej tyre të vdekura, të ngecura në rrjetat e peshkimit.
Meksika ka ndaluar kapjen e breshkave të detit prej vitit 1990 dhe cakton penalizime të rënda për këdo që vret breshkat e detit.
Top Channel