Përplasja Rama-Basha/ Replika të forta në Kuvend për korrupsionin dhe vetting-un

28/10/2021 19:31

Edi Rama dhe Lulzim Basha e përdorën foltoren e parlamentit për të debatuar me njëri tjetrin për çështjet të aktualitetit përfshi rivalitetin mes tyre kur garonin ballë përballë për kryetar bashkie.

Pas këtyre replikave Edi Ramës nuk iu durua t’ia tregonte Lulzim Bashës rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme lokale.

Ajo që bëni ju ka lidhje vetëm me babëzinë për para dhe pushtet që ju ka zënë sytë. Kjo babëzi nuk ju pengoi ta ngrini kullën 50 kate me të gjithë bosët e kokainës. Mbase ta thonë se kush bos kokaine ka rezervuar në ndërtesën më të lartë në Shqipëri. Ti që na flet ne për shijen, për bukurinë, neve të PD-së që na kanë quajtur si Partia më e bukur e lindjes, na flet që të mbajmë hundën me dorë. Sigurisht që do ta mbajmë hundën me dorë sepse kishte një gropë aty dhe 11 vite kryetar bashkie nuk e mbylle“, tha Basha.

Por nuk vonoi shumë edhe reagimi i kryeministrit Rama, duke i thënë se duhet ta gëlltiste këtë fjalë që i ka mbirë në majë të gjuhës dhe të matet mirë kur flet, ndërsa i kujton që të bëhet burrë, sepse i ka ardhur sërish shansi, por që nuk po e shfrytëzon dot.

Kanti thotë “kur dikush të akuzon për diçka që nuk e ke bërë, ose e ka bërë vetë, ose do ta bënte vetë në vendin tënd”. Kur vihesh përballë akuzash të tilla është në fakt barra e akuzuesit të provojë akuzën, jo e të akuzuarit që nuk e ka bërë atë për të cilën akuzohet. Por zotëria më dha një mundësi për shkak të paaftësisë së tij proverbiale në raport me shifrat që unë të përgjigjem thjesht”, deklaroi Kryeministri.

Për kreun e PD-së Edi Rama është njeriu i vetëm në vend që përcakton se kush do të fitojë tendera dhe kush jo. Basha tha se të vetëm tendera që kalojnë me procedurë të rregullt janë vetëm ato nga fondet e BE-së.

Është akt i vetëdijshëm, ti ke vendosur prioritet kullat e korrupsionit dhe oligarkisë. Ke vendosur që të kesh prioritet tenderat e pandemisë. T’i vidhje me një grusht njerëzish. Këto janë vendime të tuat nuk janë aksidente. Nuk janë as tërmeti as pandemia, je fatkeqësia e këtij vendi. Të vetmet tendera me procedurë korrekte janë ato të BE-së, të cilët t’i i urren”, tha Basha.

Ai theksoi se tarifat e vendosura për çdo tender janë mbi 1 milion euro, duke i bërë thirrje Kryeministrit që t’i marrë letrat ku i ka futur dhe t’i shohë ato se si tenderat e tij nuk kanë as konkurrencë pasi janë paracaktuar.

Tarifat e tua për çdo tender mbi 1 mln euro në zyrën tënde i di gjithë Tirana. Merri letra kudo ku i ke futur ndoshta i ke akoma tek zyra e zv.kryeministrit, ndoshta tigri i ka djegur, merr e shikoji sesi në tenderat e tua nuk ka konkurrencë i ke përcaktuar ti. Java zgjedhore Bashkia Durrës ndan 60 mln euro për rindërtimin. Ne nuk duam të bëjmë lojëra fjalësh me ty, ty ta kanë pirë lëngun të gjithë edhe ato që mendon se i ke akoma miq. Këtë sallë duhet t’ua kthejmë shqiptarëve. Ke frikë vettingun e politikanëve si djalli temjanin”, tha Basha.

Top Channel