“Abuzim i pacipë”/ Basha: Shtireni si kursimtarë dhe shndërroheni si Ali Baba kur flitet për tendera sekreta

28/10/2021 12:53

Edhe me largimin e Ramës, kryetari i PD, Lulzim Basha ka vijuar me fjalën e tij duke folur për PPP, borxhin dhe Eurobondin. Basha tha se tha se bëjnë si kursimtarë, por shndërrohen si Ali Baba kur vjen puna për firmosjen e tenderave sekretë dhe PPP publikë.

Nuk hezitoi të përmendte dhe rrugën e Arbrit duke thënë se është shpenzuar 3 herë më shumë, ndaj po bëhet hajdutëri me cizme. Sipas Bashës, e vetmja mënyrë për të rregulluar ekonominë është të sillen si familjarë.

Basha: Nuk mund të heshtim për aq sa e konsiderojmë veten deputetë jo pengje, as të mbyllim sytë, as veshët nga listat e njerëzve në dyqane. Ndaj kemi përgjegjësi përballë familjeve shqiptare që e dinë se cpo heqim dhe duhet ti ofrojmë jo shfajësimet e të mbyturit, por zgjidhje konkrete. Ky parlament, pavarësisht se i pjellë nga paligjshmëria e ka mundësinë…

Nuk është as për ta vijuar debatin tek metaforat e lodhura të të sëmurit të Tiranës. Pas gënjeshtrave elektorale, ulja e TVSH për shportën ushqimore duhet të bëhet realitet sot. Sipas llogaritjeve tona, kosto për buxhetin e shtetit është 125 mln euro. Ku do gjenden paratë? Kjo është pyetja që do shtrojmë. Këta bëjnë si kursimtarë me një shtirje.

Kur vjen radha për të firmosur tendera sekretë dhe PPP publikë, koncesione, papritur shndërrohen në personazhin e 1001 netëve, e kam fjalën për Ali Babën që i lëshohet taksave të qytetarëve bashkë me 40 hajdutët. Ndërkohë që përgatiteni për ta sjellë në parlament, 150 mln euro për qytetarët duhet dhe mund t’i gjeni duke i hequr nga PPP dhe shpenzimet e tjera jo prioritare. Marrëzia me PPP, ky abuzim i pacipë nuk mund të vazhdojë.

E dini fare mirë që i caktoni ju dhe jo gara. Bëjnë sikur investojnë, rruga e Arbrit nga 120 mln ka shkuar 360 mln dhe nuk na tregon pse shpenzon 3 herë më shumë. Na flet për rrëshqitje, si e quajti “befasi gjeologjike”. Është babëzi, hajdutëri me çizme. Ky borxh i fshehur janë vendet ku ndodhen paratë e shqiptarët. Nuk ka nevojë as për shkencë, as për tigra prej letre për të rregulluar ekonominë. Mjafton të silleni si familjarë.

Ne themi ulni TVSH për ushqimin, ky thotë do blej satelit. Pra me PPP dhe koncesionet, jo vetëm që nuk ka përfitim, por publiku e paguan dyfish. Për hir të këtyre koncesioneve, po hyni në borxh dhe prap do e paguajnë qytetarët. Ju jo plan e vizion që s’keni, por ofendoni edhe inteligjencën e njerëzve duke fshehur dështimin sepse merrni borxh për të larë borxh.

Top Channel