160 milionë euro fatura ujësjellësi/ Durrësi dhe Vlora në krye të detyrimeve që nuk i janë paguar ende OSHEE

28/10/2021 12:54

Detyrime prej 20.37 mld lekësh ose 160 milionë eurosh kanë grumbulluar shoqëritë e ujësjellësve në fatura energjie ndaj OSHEE.

Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj e mohoi se ato janë borxhe:

“Nuk ka borxhe të papaguara, janë punë në proces që paguhen në raport me pagesën e faturave nga privatët të TVSH-së. Me aktin e ri normativ në fund të vitit do ketë pagesa shumë të mëdha në infrastrukturën rrugore dhe atë të ujit.”

Në relacionin e Buxhetit 2022 ministria e financave bën thirrje për mbledhjen e këtyre detyrimeve në kushtet kur OSHEE pritet të dalë me humbje në 2021 me 8.9 mld lekë dhe në 2022 me 7.2 mld lekë.

Ujësjellësi i Durrësit ka borxhin më të madh në vlerën e 6.4 mld lekë, ndërsa pas e ndjek ai i Vlorës si dhe ai i Patosit.

Në relacion përmendet edhe Koorporata Elektroenergjetike. Pavarësisht prodhimit mjaft të mirë në muajt e parë të vitit, raporti konsideron shqetësues faktin se si kaskadat e hidrocentraleve janë zbrazur brenda 3 muajve poshtë mesatares historike të 30 viteve.

Raporti thekson se OSHEE është duke programuar masa të shpejta lidhur me daljen në Treg të Lirë të konsumatorëve duke propozuar rritjen e tarifave të shpërndarjes si edhe rishikuar çmimin final të konsumatorëve, për të përballuar humbjet.

Ujësjellës Durrës
6.43 mld lekë
Burimi: OSHEE
Ujësjellës Vlorë
2.18 mld lekë
Burimi: OSHEE
Ujësjellës Patos
1.58 mld lekë
Burimi: OSHEE
Kaskada e Fierzës
291.7 metra Qershor
274.3 metra Gusht
279.4 metra mesatarja historike

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA