Vaksinimi/ Rama publikon mesazhin e aktorit Reshat Arbana: T’i mbrojmë ata që duam nga transmetimi i këtij virusi

27/10/2021 08:35

Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën me publikimin e një mesazhi të aktorit Reshat Arbana për vaksinimin e qytetarëve kundër koronavirusit.

Në mesazhin e tij, aktori shqiptar i bën apel qytetarëve që të mendojnë më shumë për mbrojtjen e të drejtave tona njerëzore.

Ai thotë se së pari ne duhet të jemi të fortë dhe të shëndetshëm dhe së dyti të jemi të gëzuar dhe të lumtur. Arbana thotë se duhet të mbrojmë ata që duam nga transmetimi i këtij virusi të rrezikshëm.

Të mendojmë më shumë për mbrojtjen e të drejtave tona njerëzore: Së pari, të jemi të fortë e të shëndetshëm. Së dyti, të jemi të gëzuar e të lumtur. Të falim sa më shumë dashuri për njerëzit e dashur të zemrës. T’i ruajmë e t’i mbrojmë ata nga transmetimi i këtij virusi të rrezikshëm”, thuhet në mezazhin e aktorit.

Në këto kohë Covidiane, thirrjes për t’u vaksinuar i është bashkuar edhe shkrimtarja shqiptare Helena Kadare, e cila përmes një teksti të shkurtër i drejtohet veçanërisht të rinjve. Një mesazh i tillë u shpërnda edhe nga kryeministri Edi Rama pak ditë më parë në profilin personal në Facebook.

Në një kohë kur virusi nuk po njeh më moshë dhe një valë e re po “godet” rinin, Kadare thekson se nuk e kupton refuzimin e vaksinës nga të rinjtë, duke shtuar se kjo është sikur t’i thuash jetës jo, në favor të mosqenies.

Por, në një bilanc të shkurtër, çfarë na duhet neve jeta pa nipërit e mbesat tona?”, pyet ajo në një formë retorike.

 “Tërë jetën time kam qenë në krah të mendimit të të rinjve, edhe kur ai ka qenë ekstravagant apo në kundërshtim me logjikën ‘e pastër’. Sepse sido që të jetë ai, mendimi i rinisë, në të gjitha rastet është më i përparuari, është i lirë, i hapur, kurajoz. Për herë të parë në jetën time të gjatë, gjithmonë pro tyre, mendimi im po bie ndesh me ta. Është vaksina kundër Covidit që na ndan. Ne, të rriturit, i shpëtuam kësaj murtaje në sajë të vaksinës. Por, në një bilanc të shkurtër, çfarë na duhet neve jeta pa nipërit e mbesat tona? Sepse tani vala po godet ata. E kam të pamundur t’i gjej logjikën refuzimit të vaksinës prej tyre. Është njësoj si t’i thuash Jetës jo, në favor të mosqenies! Kaq e thjeshtë”, shkruan Helena Kadare.

Kujtojmë se gjatë 24 orëve të fundit Ministria e Shëndetësisë tha se janë kryer 3,559 testime nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me koronavirus 650 qytetarë. Po ashtu, kanë ndërruar jetë nga koronavirusi 8 qytetarë, mes tyre edhe një fëmijë 5 vjeç nga Saranda. Aktualisht në spitalet COVID po marrin trajtim 158 pacientë, nga të cilët 14 janë në gjendje më të rënduar.

 

Top Channel