Paralelisht me hetimin parlamentar për zgjedhjet e 25 prillit, demokratët kërkojnë ngritjen e komisionit të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore.
Detyra 6 mujore e komisionit bipartizan sipas opozitës duhet të jetë hartimi i ndryshimeve kushtetuese si dhe kuadri i ri ligjor ku duhet të përfshihen jo vetëm rekomandimet e OSBE-OHDIR, por edhe shqetësimet e partive politike, nga fenomeni i shitblerjes se votës deri tek patronazhistët.
Arritja e konsensusit për një reformë zgjedhore të dakordësuar, duket e vështirë për shkak të konfliktualitetit të madh mes palëve që po dështon edhe hetimin parlamentar për zgjedhjet, puna e të cilit ka ngecur ende te miratimi i rregullores së brendshme.
Demokratët e vijuan mbledhjen edhe pse kuorumi mungonte. Socialistët u rikthyen në komision, por qëndrimi zgjati shumë pak.
Me largimin e mazhorancës Kuvendi fiku sinjalin e transmetimit për mediat. Ky ishte momenti kur kryetari i Komisioni Enkelejd Alibeaj kërcënoi administratën me ndjekje penale. Protagoniste e përplasjes u bë ish kryetarja e KQZ-së Lefterie Luzi e cila mban postin e drejtoreshës se shërbimeve për komisionet parlamentare.
Demokratët e vijuan mbledhjen në mungesë kuorumi, ndërkohë u kujdes që medias t’i ofronin sinjal përmes aparateve të tyre celularë.
Top Channel