Berisha sërish në krye të PD? Rama: PD është katandisur në një objekt keqardhjeje!

27/10/2021 20:22

I pyetur për situatën e brendshme në Partinë Demokratike, kreu i qeverisë Edi Rama tha se PD është katandisur në një objekt keqardhjeje,

“Nuk kam asnjë koment lidhur me atë që ndodh në fushën e PD, por di të them nëse do të ishin mbledhur humoristët dhe satiristët e të gjithë vendit për të shkruar një pjesë me shumë seri se si PD mund të katandisej në humor të zi, është ajo që po ndodh në PD”, tha Rama.

Rama pas mbledhjes me krerët e degëve të PS, në selinë rozë, foli për herë të parë edhe për propozimin e kreut të PD Lulzim Basha për vettingun e politikanëve.

Do e miratoni nesër komisionin hetimor për mbetjet?

Rama: Nuk e di. Nesër unë do të votoj, siç është marrë vendimi. Nuk kam dëgjuar që ka ndonjë votë kundër, kështu që besoj se do të votohet. Mosdakordësitë mes palëve janë normale, diskutohen, çfarë mund të realizohet, realizohet.

Më 2018 rrëzuat vettingun politik, çfarë ka ndryshuar që keni ndërruar mendje?

Rama: E para, nuk ma keni lexuar mendjen. Nuk kam shprehur opinion të drejtpërdrejtë, për të respektuar një parim, që e kemi vendosur vetë që në fillim, që ne jemi të hapur të diskutojmë çdo gjë. Do të ulemi me vullnet të mirë për çdo gjë që opozita do të diskutojë. Më 2018 ka pasur një propozim, që është konsideruar jo bindës. Nuk dimë gjë për propozimin e ri. Janë tre vite, në tre vite gjërat evoluojnë, argumentet po. Nëse ka argumente bindës, ne do bëjmë më të mirën.

Seriozitet mbi parimin se jemi gati të diskutojmë çdo gjë, fillon nga këtu. Nëse që në fillim ne themi fjalën e fundit në dialog, atëherë s’ka tryezë. Do të ulemi në tryezë, do të japim gjithë disponimin për të dëgjuar, do dëgjojmë, do themi ato që mendojmë, do marrim mendimet e ekspertëve tanë të fushës dhe do arrijmë në konkluzione në mënyrë sa më civile. E kam thënë që cilësia e demokracisë, e bashkëjetesës, nuk varet nga sa shpesh biem dakord, por nga mënyra se si nuk biem dakord. Mund të mos biesh dakord duke gjuajtur me gurë, por edhe duke argumentuar normalisht. Ne duam këtë të dytën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA