Alibeaj: Me histerizëm kamikazi, administrata do të ndërpresë veprimtarinë e komisionit. Nuk duan të thirret dëshmitar Rama

27/10/2021 15:10

Kryetari i Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 Prillit, Enkelejd Alibeaj ka dhënë një deklaratë për mediat për mbledhjen e ditës së sotme që u braktis nga mazhoranca.

Pas largimit të deputetëve socialist, Kuvendi ndërpreu lidhjen live ndonëse mbledhja nuk kishte përfunduar dhe Alibeaj thotë se duan të ndërpresin veprimtarinë e komisionit “me histerizëm kamikazi.”

Ndër të tjera theksoi se kanë frikë nga të dhënat e deputetëve të opozitës ndërsa nuk duan që të thirret dëshmitar kryeministri Edi Rama.

Ikën prapë. E treta herë që ikin, pa arsye pa shkak. Duket qartë me një strategji të demaskuar për të bojkotuar veprimtarinë e komisionit. Kjo seli vendosi të ndërpresë edhe sinjalin televiziv që sipas traditës ndërpritet atëherë kur mbaron diskutimi.

Kishim miratuar 16 nene. Në mënyrë të beftë u çuan dhe ikën dhe strategjia e tyre dukej qartë. Mbledhja e radhës ishte sot për në orën 11:00. Vazhduam me kërkesën për të hetuar veprimtarinë e patronazhistëve. Bardhi paraqiti të gjithë panoramën e plotë për patronazhistët. Çollaku parashtroi të dhënat për shpërdorimin e fondeve publike për të blerë votat e shqiptarëve. Bylykbashi foli për rindërtimin, zoti Xhaferraj për shpërdorimin e shumave të mëdha të shumave të shtetit për blerjen e votës. Salianji për punësimet. Punësime të përkohshme të bëra para 25 Prilli.

Administrata me një histerizëm kamikazi futet për të ndërprerë një proces ligjor. Në këtë mënyrë mazhoranca kërkon të ndërhyjë për të bllokuar veprimtarinë e komisionit.

Propozova të bëheshin të gjitha kërkesat e tyre për rregulloren, habi e madhe, votuan kundër dhe më pas ikën. Sic duket kanë frikë nga ato të dhëna të sjella nga deputetët e opozitës. Dëshmitarët duke filluar nga kryeministri e me radhë do thirren sipas ligjit.

Përgjigjja për Gjylametin është e thjeshtë: Unë drejtoj komisionin bazuar në ligjin për komisionet hetimore ku thuhet fare qartë se rendi i ditës është i përcaktuar nga vetë ligjit. Plani hetimor paraprak ku qëndron edhe thembra e Akilit. Po e përsëris që e drejta për të thirrur dëshmitarë, pranohet edhe kur bëhet nga çdo deputet pa qenë nevoja për gjë tjetër. Mjafton kërkesa. Ndërsa këta nuk duan të lejojnë që të thirret si dëshmitar shtetasi Edi Rama”, tha Alibeaj.

Socialistët dhe demokratët as këtë të mërkurë nuk e gjetën dot gjuhën e përbashkët në Komisionin Hetimor, për zgjedhjet e 25 prillit. Edhe në mbledhjen e tretë, anëtarët debatuan për rendin e ditës, ku socialistët kërkuan që të përfshihej në rendin e ditës shqyrtimi i rregullores. Por kjo kërkesë nuk u pranua.

U rrëzua fatkeqësisht, për këtë arsye rendi i ditës ngelet ai që është ofruar prej meje në cilësinë e kryetarit”, tha Enkelejd Alibeaj, deputet i Partisë Demokratike, njëherazi dhe kryetar i Komisionit.

Pas votimit, anëtarët e Partisë Socialiste u larguan për t’u rikthyer disa minuta më vonë, ku pas debateve të tjera vendosën të largoheshin përfundimisht nga mbledhja.

Me largimin e tyre, Alibeaj u përplas me administratën e kuvendit duke e paralajmëruar për kallëzim penal nëse ndërpritet transmetimi i mbledhjes.

Nëse do të merrni urdhra të paligjshme apo do të keni iniciativë për të ndërprerë sinjalin televiziv, do të jem i detyruar për të ushtruar të gjitha të drejtat e mia si deputet dhe kryetar i komisionit për gjithkënd nga ju deri në kallëzim penal”, tha ai.

Pak sekonda më pas, ndërhyri drejtoresha e shërbimeve të Komisioneve Parlamentare, Lefterie Luzi e cila i kërkoi Alibeajt ta ndërpriste pasi nuk plotësonte kuorumin pas largimit anëtarëve socialistë.

Por kërkesa e Luzit për Alibeajn ishte ndërprerje e mbledhjes dhe ndaj kërkoi ndihmën e Gardës së Republikës për ta larguar.

Ju lutem nxirreni përjashta zonjën në fjalë”, tha ai.

Pak minuta më vonë, Kuvendi hoqi sinjalin e transmetimit, por kjo nuk i ndaloi demokratët për të vijuar mbledhjen, të cilën disa minuta më vonë e transmetuan në rrjetet sociale.

Top Channel