Alibeaj i tërheq ‘veshin’ administratës së Kuvendit: Nuk pasqyruat mbledhjen e Komisionit Hetimor, mos të ndodhë më!

27/10/2021 11:27

Kreu i Komisionit Hetimor, Enkelejd Alibeaj i ka tërhequr ‘veshin’ administratës së Kuvendit, pas raportimeve që ky i fundit ka pasur, se mbledhja e sotme dhe rendi i ditës i saj nuk ishte pasqyruar në faqen zyrtare të Kuvendit.

Alibeaj tha se e ka vërtetuar vetë dhe kjo ka rezultuar e vërtetë dhe ka kërkuar që kjo gjë të mos ndodhë më.

“Sipas verifikimeve kuroumi është dhe për këtë arsye konsiderohet e hapur çelja e mbledhjes. Mbledhja e kaluar pati atë zhvillim, e mbyllur sipas rregullave të ligjit për Komisionet Hetimore. Fakti që kuorumi ra veprimtaria u ndërpre në atë moment, sipas kërkesave të ligjit, u përcaktua data e mbledhjes për sot, me rendin e ditës të shpërndarë të gjithë anëtarëve.

Nga verifikimet që kam bërë dhe në këtë rast i drejtohem administratës së Kuvendit, mund të jem gabim, por deri te shqyrtimet që kam bërë pak kohë më parë rendi i ditës dhe njoftimi për mbledhjen nuk është pasqyruar në faqen e Kuvendit siç ka ndodhur në raste të tjera. Kam pasur ankesa nga mediat, nëse kjo nuk është e vërtetë tërhiqem unë dhe nëse është e vërtetë kjo është një çështje që nuk duhet të përsëritet më.

Mbledhjet e Komisioneve janë të detyrueshme për tu shpërndarë jo vetëm si njoftim, por edhe për shkak të transparencës”, tha Alibeaj.

Top Channel