Ze Maria: Më pëlqen Partizani. Ish trajneri i Tiranës rrëfen arsyen e vërtetë të vizitës në Tiranë

26/10/2021 19:56

Hose Marselo Ferreria ose i njohur ndryshe si Ze Maria, ish-trajneri i Tiranës 3 vite më parë u gjend këtë fundjavën në kryeqytet për të parë derbin, por jo vetëm.

Në një intervistë për Top Channel ai zbulon diçka më tepër.

Ze Maria / trajner futbolli:  Kishte 3 vite që nuk vija në Tiranë dhe nuk e kisha parë as stadiumin e ri. Erdha këtu për ta parë atë dhe një derbi të luajtur në këtë stadium të ri. Për këtë isha këtu.

Dhe si tu duk ndeshja?

Ze Maria / trajner futbolli: Ndeshja e djeshme më ngjau tamam një derbi, ku nuk ka shumë aksione për gol, nuk ka shumë lojë të bukur. I vetmi derbi që luhet për të fituar është derbi spanjoll Real Madrid-Barcelona. Sa i përket derbit të Tiranës mund të them se kishte disa aksione goli vetëm në fillim të lojës, më pas dy skuadrat luajtëm për të mos rrezikuar asgjë. Tirana donte të mbronte golin e saj ndërsa Partizani për të mos pësuar golin e dytë.

Nga ana e Partizanit, duke filluar nga tifozët e deri tek drejtuesit e klubit menduan që arbitri ndikoi në këtë ndeshje.

Ze Maria / trajner futbolli: Arbitri për mendimin tim gaboi vetëm që nuk e vërshëlleu menjëherë atë penallti që dha më pas me VAR. Më pas shumë thonë se ishte një goditje me brryl por mua mu duk me parakrah dhe janë dy gjëra të ndryshme dhe pamjet ishin larg. Nuk mendoj se arbitri favorizoi një skuadër dhe dëmtoi tjetrën, nuk ishte kështu. Ndeshjet e humbën për ganime të lojtarëve jo të arbitrit.

Gjithësesi arsyeja e vërtetë nuk duket se ka qenë vetëm ndjekja e derbit. Në kryeqytet qarkullojnë fjalë se keni patur kontakte me drejtuesit e Partizanit.

Ze Maria / trajner futbolli: Kontaktin e vetëm që pata me drejtuesit e Partizanit ishte dje në stadium, u takova me presidentin dhe drejtorin, por nuk folëm. Është një skuadër e madhe. Sigurisht që nuk mund të mos them që do të më pëlqente ta drejtoja, por kam shumë respekt për trajnerin që kanë aktualisht. Në të ardhmen nëse do të krijohet mundësia dhe drejtuesit më duan pse jo.

Pritet një takim?

Ze Maria / trajner futbolli: Unë jam këtu deri në nesër në mëngjes por të shohim çfarë do të ndodh pasi këtu kam edhe menaxherin tim dhe të shohim. Pak kohë më parë më ka kërkuar një skuadër e Superligës shqiptare, por do të shohim nëse do të konkretizohet diçka, nuk thuhen asnjëherë emrat e shenjtorëve, thuhen vetëm mrekullitë. Kam kaluar mirë në Shqipëri dhe nëse do të kthehem do të jetë gjithmonë një kënaqësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA