Ivan Balliu, futbollist i kombëtares shqiptare, do të përballet këtë të mërkurë për herë të parë me skuadrën që e formoi si futbollist, Barcelonën. Pas tetë vitesh në La Masia, mbrojtësi i djathtë u transferua në Portugali, ku kaloi dy sezone në Arouca, për t’u transferuar në Francë dhe për të qenë pjesë e Metz për katër vjet.
Në vitin 2019 ai u kthye në Spanjë, për t’iu bashkuar projektit të Almerías, ndërsa këtë verë bëri debutimin në divizionin e pare me fanellën e Rayo Vallecanos.
I linduri në Girona, Balliu e pranon se mori vendimin e duhur që iu bashkua Rayos dhe projektit të ri të Andoni Iraolës. Me 5 fitore, 1 barazim dhe 4 humbje, Rayo Vallecano renditet në vendin e shtatë, një pozicion që nuk ishte menduar në fillim të sezonit.
“Është e qartë se objektivi nuk është pjesëmarrja në Kupat e Europës, por të arrijmë mbijetesën sa më shpejt të jetë e mundur. Kemi fituar shumë pikë, por nuk kemi pse të ëndërrojmë. Qëllimi ynë është ende mbijetesa, do të gabonim nëse do të mendonim ndryshe.”
Balliu tregoi më tej se trajneri Iraola pati rol kyç në transferimin e tij në rrethinat e Madridit.
“Përfundova kontratën time me Almerían dhe kisha oferta nga skuadra të tjera në Kategorinë e Parë, por ftesa e Iraolas më bëri të merrja këtë vendim. Më tha se do të mbështetej tek unë, më prezantoi me stilin e tij të lojës dhe se si do të përshtatesha.”
Përballja me Barcelonës do të jetë shumë e veçantë për shqiptarin dhe arsyet i tregon vete.
“Jam shumë i lumtur. Aty (te Barcelona) jam stërvitur dhe kam miq shumë të mirë nga koha ime te Barça. Tani jam shumë me fat që mund të përballem me Barçën në nivelin më të lartë. Është e qartë se arritja në ekipin e parë të Barçës është shumë e vështirë. Futbolli jashtë Barçës vazhdon. Të luash për Barçën është fantastike, por shumë pak ia dalin. Duhet të kesh fat dhe të jesh shumë i mirë.”
Balliu e pranon se nuk mund të konkurronte në radhët e “blaugranave” me një lojtar kalibri si Dani Alves.
“Ishte Dani Alves, i cili nga 70 ndeshje, luajti 68. Kur ke një mbrojtës të krahut që shënon kaq në nivel klubesh dhe kombëtaresh, është e vështirë ta zëvendësosh.”
Barcelona, sipas Balliut, mbetet ekip i madh edhe me largimin e Messit.
“Barça gjithmonë të frikëson, por ata e kanë humbur referencën e tyre: lojtarin më të mirë në botë. Ansu, Memphis po shfaqen… Te Barça gjithmonë do të ketë lojtarë të mirë që do të trembin. Për të fituar ndaj Barçës duhet të shfaqesh në versionin më të mirë dhe ata të jenë në një ditë të keqe …”/Supersport
Top Channel