Rritje e rasteve me Covid, Greqia në alarm! 4000 raste dhe 54 humbje jete në 24 orët e fundit

26/10/2021 14:34

Në alarm të plotë ndodhen organet greke të shëndetit pasi për të gjashtën ditë ka një shpërthim të rasteve me koronavirus, si dhe rritje të numrit të viktimave.

Në 24 orët e fundit numri i të prekurve gati preku shifrën prej 4000 personash, duke shënuar një rekord të këtyre dy muajve, ndërsa 54 vetë kanë humbur jetën, shifra më e lartë në pesë muajt e fundit. Sa u përket të intubuarëve janë më shumë se 350 persona të cilët janë në luftë për jetën, në repartet e veçanta të reanimacionit.

Ndërsa zyrtarët e qeverisë janë shprehur se vendi nuk do të ketë më lockdown-e dhe bizneset e aktivitetet do të mbeten të hapura, specialistet shohin me shqetësim përhapjen e virusit sidomos në Greqinë e Veriut dhe kryesisht në Selanik.

Edhe këto ditë spitalet e Selanikut janë nën presion të jashtëzakonshëm pasi nuk ka asnjë dhomë intubimi të lirë, ndërsa edhe numri i atyre që shtrohen me simptomat e koronabirusit rritet çdo ditë.

Specialistët e mjekësisë parashikojnë se me këto ritme deri në fund të vitit numri i rasteve ditore do të shkojë në mbi 5000, ndërsa do të ketë edhe 50-60 humbje jete, pra të paktën 2500 viktima të tjera do ti shtohen listës së 15.682 të vdekurve, që numëron Greqia prej fillimit të pandemisë.

Mjekët nuk reshtin së bëri thirrje për një fushatë të re vaksinimi nën shembullin e Portugalisë, duke treguar edhe statistikat mbi 90% e rasteve të të prekurve, por edhe të atyre që humbin jetën janë të pavaksinuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA