Qindra të helmuar në Krujë/ Ndërpritet uji dhe priten analizat. Pista kryesore: Helmimi nga uji i turbullt

26/10/2021 12:15

Të paktën 370 persona me simptoma helmimi janë paraqitur në spitalin e Krujës. Dyshohet se ata u helmuan nga uji i pijshëm.

Qytetarë të grupmoshave të ndryshme kanë kërkuar trajtim mjekësor, pasi pjesa më e madhe e tyre kishin diarre e të vjella që shkaktojnë dehidratim.

Kam kriza barku, dhimbje koke, të vjella. I shfaqa shenjat mbrëmë. Dyshoj tek uji, duke e pirë përditë. S’kemi ku të dyshojmë“, tha një qytetar.

Personat me simptoma janë nga zona të ndryshme të Krujës, ndaj dyshimet janë përqendruar te cilësia e ujit të pijshëm që rrjedh në rubineta.

Në një deklaratë për mediat, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se nëse do të jetë e nevojshme, edhe Spitali i Durrësit do të vendoset në dispozicion për pacientët që kanë shfaqur probleme.

Ministrja tha se deri më tani në spitalin e Krujës janë paraqitur 370 pacientë me shenja të helmimit.

E pyetur lidhur me furnizimin me ujë të spitalit, Manastirliu nuk preferoj të përgjigjet, ndërsa drejtoresha e spitalit deklaroi se ka ujë të pijshëm.

Kam ardhur për të parë nga afër gjendjen shëndetësore të qytetarëve që marrin shërbim në spitalin e Krujës. Situata paraqitet e qetë, pa komplikacione, nuk kemi ndonjë qytetar me gjendje të komplikuar shëndetësore. Janë rreth 370 qytetarë që janë paraqitur në spital ku kanë marrë shërbimin e nevojshëm. Sot janë paraqitur 60 qytetarë. Tashmë janë edhe disa pacientë të tjerë që po marrin shërbim në urgjencë, janë rreth 30 qytetarë aktualisht. Ka edhe adoleshentë, fëmijë e të rritur. Sa i përket hetimit epidemiologjik, të gjithë strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Bashkisë po kryejnë të gjitha investigimet në të gjitha pista e mundshme. Janë marrë mostrat e ujit dhe ushqimeve, janë një seri pistash që po investigohen. Po pyeten të gjithë qytetarët se çafër kanë konsumuar dhe do kemi rezultat përfundimtar kur të kemi rezultatin e analizave mikrobiologjike. Kemi marrë masa që nëse do të ketë raste të shtuara edhe spitali i Durrësit mund të vendoset një pavion për të pritur pacientët. hetimet po kryhen në shumë pista”, tha ajo.

Pyetjet e gazetarëve: Spitali i Krujës me çfarë uji po furnziohet?

ManastirliuMesa di bashkia ka marrë masat për këtë gjë. Drejtoresha mund të përgjigjet nëse ka ujë në spital.

DrejtoreshaPo aktualisht spitali ka ujë të pijshëm.

Manastirliu: Të gjitha masat janë duke u marrë, çdo gjë do raportohet në kohën e duhur. E rëndësishme për ne është fakti që shërbimi shëndetësor nuk mungon.

Për këtë ngjarje ka reaguar edhe presidenti i vendit Ilir Meta, i cili kërkon hetim dhe përgjegjësi nga institucionet përgjegjëse.

Ai tha se është i shqetësuar nga kjo “situatë alarmante”.

I nxis shërbimet shëndetësore epidemiologjike dhe ato të mjekësisë ligjore të zbardhin sa më parë burim shkakun dhe shkaktarët dhe përgjegjësit e kësaj ngjarjeje të rëndë, që përbën një kërcënim serioz për jetët njerëzore dhe Sigurinë Kombëtare”, tha Presidenti.

Në Krujë ka shkuar dhe një ekip nga Inspektorati i Shëndetit për të kryer inspektime mbi situatën e krijuar.

Situata e helmimit të banorëve të Krujës ka vënë në lëvizje autoritetet vendore, si dhe policinë e prokurorinë e Krujës për të kuptuar shkaqet e kësaj situate të rënduar shëndetësore në popullatën e Krujës.

Për këtë arsye është ndërprerë furnizimi me ujë nga rrjeti i ujësjellësit në Krujë. Vendimi është marrë nga njësia vendore e Kujdesit Shëndetësor në pritje të përgjigjes së analizave për ngarkesën mikrobike/bakterologjike të ujit.

Mbi 80 përqind e popullatës në Krujë konsumon ujin e çezmës në përditshmërinë e tyre.

Drejtues të ujësjellësit të Krujës shprehen se janë në pritje të analizave të ujit për të vërtetuar dyshimet që kanë rënë mbi ujin si burim infeksioni për banorët dhe ndërmarrë veprime të mëtejshme.

Deri më tani janë kryer vetëm analizat e para, por për të marrë rezultatin, duhet të presim 32 orë për një përgjigje përfundimtare. Sikundër e kanë shtrirë hetimin në disa ushqime, por pista kryesor mbetet uji.

Ndërkaq, për shkak se është ndërprerë edhe furnizimi me ujë, Prefekti i Krujës deklaroi se do të mundësohet uji i pijshëm nga Bashkia e Krujës për të gjithë banorët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA