Deputeti i PD, Saimir Korreshi ka folur për situatën e OSHEE në qytetin e Lushnjes duke thënë se ka punësime nga partitë politike dhe persona që kanë shërbyer për 23 vjet janë hequr nga puna.
Sipas tij, i kanë larguar me pretendimin se kanë djegur flamurin e PS. Ndër të tjera, tregoi se elektriçistët nuk kanë mjete për të rregulluar defektet dhe lëvizin me makinën e policisë.
Nuk mungoi debati me Klotilda Bushkën, e cila e cilësoi “budallik” faktin që po përmendet vazhdimisht e njëjta histori, ndërsa Korreshi iu përgjigj me tone të larta: “Po rruani lekët dhe tregoni performancën e OSHEE.”
Saimir Korreshi: Nuk pranoj për diskutim vetëm diçka sepse na u tha nga drejtori i OSHEE që është rritur në performancë. Paska vënë buzëkuq por paska 3 javë pa u larë. Tani flasim realitetin, gjendja në terren është katastrofë. Në të gjithë fshatrat e Lushnjes, një vesë shi dhe nuk kanë drita. Rrjeti është tejet i amortizuar dhe jo rrallë herë më shkruajnë njerëzit se kanë 8 ose 9 orë pa drita në Lushnje.
Së dyti, të gjithë drejtuesit, punëtorët që ka OSHEE brenda i ka punëtorë partie. Kjo më keq e zhyt. Njerëzit nga OSHEE Lushnje i kanë hequr me preteksin se kanë djegur flamurin e PS. Të gjithë sot janë 8 vjet pa punë. Njerëzit që kanë 23-24 vjet punë në OSHEE dhe kjo e ka ulur performancën. Në zyrën e OSHEE në Lushnje nuk ka elektriçist. Nuk ka makinë OSHEE për t’i çuar. Marrin makinën e policisë për të shkuar për të rregulluar defektet.
Klotilda Bushka: Kemi 2 orë e gjysmë me këtë histori.
Saimir Korreshi: Unë nuk e mbyll sepse është qytetar lushnjar. Ti nuk ndërpret fare se nuk je kryetare komisioni. Nuk më ndërpret ti fare o zonjë.
Klotilda Bushka: 2 orë e gjysmë për të dëgjuar çdo lloj budalliku.
Saimir Korreshi: Budalliqet janë tuajat. Po rruani lekët atje dhe na tregoni performancën e OSHEE. Ai qytetari atje që ka vdekur është i nderuar dhe nuk ka vuajtur as nga trutë e kokës, as nga depresioni, por nga turpi. Kjo është nga turpi për 35 mijë lekë të vjetra dhe situata është e rëndë se nuk ka vjedhur as energji elektrike, por vetëm se këta e quanin dyqan, kishin të njëjtin sahat si në shtëpi dhe dyqan dhe nuk bënin dot taksimin.
Kur bëri kalkulimin, doli 35 mijë lekë të vjetra, por a nuk është turp të rrijë një njeri në burg për kaq. Nuk mund ta pranoj se ka vuajtur nga mendtë e kokës për një qytetar shqiptar. Turp ta ketë ai që e tha se e kam pasur koleg deri më sot, kam menduar se ka qenë burrë i mirë, por se paskam njohur. OSHEE e keni për faqe të zezë. Kemi një shprehje në Lushnje: “Njëri fërshëllen andej nga Leçja dhe ikin dritat në Lushnje.”
Top Channel