Demokratët zyrtarizuan në Kuvend propozimin ligjor për uljen e TVSH nga 10 në 6 përqind për produktet e shportës.
Nënkryetarja e Partisë Demokrati Jorida Tabaku sqaroi se nisma synon uljen e çmimeve për shtresat ne nevoje.
“Ne nuk po themi që kjo do të funksionojë në mënyrë perfektë në rastin e Shqipërisë sepse këtu mungon kontrolli i tregut. Por kjo do të shkojë ndihmë direkt për qytetarët. Ulja e TVSH-së do të ketë një ndikim të menjëhershëm në treg, që sot çmimet kanë arritur në një situatë të jashtëzakonshme. Vetë qeveria e njeh që çmimet e shportës janë rritur me pothuaj 5%”, tha Tabaku.
Kur te djathtët ishin në pushtet e kundërshtuan propozimin e socialistëve që parashikonte zerimin e TVSH për produktet e shportës. Rolet sot kanë ndryshuar ashtu si dhe qëndrimet.
“PS ka propozuar një mekanizëm tjetër. Ne e kemi edhe në vitin 2005 si një element të programit tonë. Ishte diskutuar që në momentin që TVSH-ja konsolidohet, kjo do ishte një nga masat që do merrej. Kjo nuk është një masë që ka ardhur nga asgjëja, është një përgjigje ndaj krizës së pandemisë që dëmtoi rëndë 95% të qytetarëve vitin e kaluar, është duke pasur pasoja akoma edhe sot, dhe është një përgjigje që janë duke e marrë të gjitha vendet”, u shpreh Tabaku.
Propozimi i Partise Demokratike përllogaritet ne shifrën e 17 miliard lekëve.
Top Channel