Në portin e Durrësit u zbuluan 45,5 kg lëndë narkotike e llojit heroinë gjatë kontrollit të ushtruar në një kamion që do të transportonte krom, me një nga tragetet e linjës Durrës-Bari, drejt Italisë.
Kontrolli në kamionin e një kompanie transporti ndërkombëtar çoi në pranga drejtuesin e mjetit, Olgert Duda 36 vjeç nga Fieri dhe pronarin e kamionit, Arian Çerma 45 vjeç nga Durrësi. Dy të arrestuarit kanë mohuar të kenë dijeni mbi sasinë e drogës që u gjet në kabinën e kamionit e ndarë në 43 pako të mbështjella me natriban.
Pakot ishin me shenja duke çuar grupin hetimor në bindjen se ato ishin të destinuara për tre marrës të ndryshëm. Një pjesë e pakove ishin shënuar me shiritin e zi, disa me kryq të bardhë, dhe të tjerat kishin mbishkrimin “banane”.
Ndër vite porti i Durrësit është përdorur si një portë kalimi për drogat e forta dhe kanabisin. Kohët e fundit janë goditur disa raste të trafikut të kokainës që vinte nga Ekuadori përmes kontejnerëve me banana të kompanisë “Alba exotic fruit”
Top Channel