Heroinë në kamionin e mbushur me krom që synonte Italinë/ Arrestohet pronari dhe drejtuesi i mjetit (EMRAT)

26/10/2021 08:24

45 kilogramë e 500 gramë lëndë narkotike e dyshuar heroinë është sekuestruar në Portin e Durrësit, pas kontrollit të një kamioni “Scania”.

Operacioni u realizua nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit, e përbërë nga Policia Kufitare, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritetet doganore të Portit.

Policia njofton se si rezultat i finalizimit të operacionit “Portëz” ranë në pranga pronari i mjetit, Arian Çerma dhe drejtuesi i tij, Olgert Duda, por asnjëri prej tyre nuk ka pranuar dijeninë mbi sasinë e heroinës.

“Në kuadër të operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: O. D., 36 vjeç, banues në Fier dhe A. Ç.,  45 vjeç, banues në Durrës”, thotë policia.

Kamioni, i cili kishte për destinacion shtetin italian ishte i ngarkuar me krom. Pas kontrollit të imtësishëm në kabinën e kamionit u gjetën të fshehura 43 pako të mbështjella me natriban brenda të cilave kishte lëndë narkotike.

“Task Forca permanente që operon në Portin e Durrësit, bazuar në informacionet e grumbulluara, ka ushtruar kontroll të imtësishëm në kamionët në hyrje dhe në dalje. Gjatë kontrollit në dalje në vijën e dytë, në kamionin tip “Scania” në pronësi të shtetasit A. Ç., që drejtohej nga shtetasi O. D. dhe i ngarkuar me krom, me destinacion shtetin italian, me konkretisht në kabinën e kamionit, u gjetën të fshehura 43 pako të mbështjella me natriban brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar heroinë, me peshë totale 45 kilogramë e 500 gramë”, njofton policia.

Task Forca permanente që operon në Portin e Durrësit vijon veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për zbardhjen e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale “Trafikimi i narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA