Helmimi masiv në Krujë/ Reagon Meta: Situatë alarmante! Kërcënim serioz për jetët njerëzore dhe Sigurinë Kombëtare

26/10/2021 10:54
Presidenti Ilir Meta

Presidenti i Republikës, Ilir Meta të martën ka reaguar në lidhje me helmimin e qindra personave në Krujë, duke e konsideruar një situatë alarmante që duhet trajtuar me shumë përgjegjësi dhe seriozitet nga institucionet shtetërore.

Po ashtu, Kreu i Shtetit ka nxitur shërbimet shëndetësore epidemiologjike dhe ato të mjekësisë ligjore të zbardhin sa më parë shkakun dhe përgjegjësit e kësaj ngjarjeje të rëndë, që përbën një kërcënim serioz për jetët njerëzore dhe Sigurinë Kombëtare.

“Me shqetësim po përcjell helmimin në masë të banorëve të Krujës, një situatë alarmante, që duhet trajtuar me shumë përgjegjësi dhe seriozitet nga institucionet shtetërore përgjegjëse për shëndetin publik, por edhe nga drejtësia.

Qytetarëve të helmuar, ju uroj shërim sa më parë dhe tejkalimin pa pasoja të rënda dhe afatgjata, si dhe ju shpreh familjeve të tyre të gjithë solidaritetin!

Mbështes dhe përgëzoj ekipet mjekësore për kujdesin dhe profesionalizimin e dëshmuar deri më tani dhe i nxis shërbimet shëndetësore epidemiologjike dhe ato të mjekësisë ligjore të zbardhin sa më parë burim shkakun dhe shkaktarët dhe përgjegjësit e kësaj ngjarjeje të rëndë, që përbën një kërcënim serioz për jetët njerëzore dhe Sigurinë Kombëtare”, shkruan Presidenti Meta.

Të paktën 370 persona janë helmuar në Krujë. Dyshohet se ata u helmuan nga uji i pijshëm.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu bëri të ditur se në spital po marrin mjekim 30 veta, mes tyre edhe fëmijë, por se nuk janë në gjendje të rëndë.

Ajo tha se po kryhen hetime për shkakun e helmimit.

Pjesa më e madhe e qytetarëve kanë marrë mjekim dhe janë larguar, ndërsa ata që kanë shfaqur më shumë komplikime po vijojnë mjekimin në spital.

Top Channel