Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka shkuar në qytetin e Krujës për të vizituar pacientët që u shtruan në spital pasi kishin simptoma helmimi. Ata dyshohet të jenë helmuar nga uji i pijshëm pasi 80% konsumojnë ujë nga rubineti.
Nga dita e diel deri sot në spital kanë përfunduar mbi 300 persona. Duke marrë shkas nga kjo situatë e krijuar, Manastirliu ka shkuar në spitalin e Krujës duke thënë se është ndërprerë furnizimi me ujë ndërsa priten përgjigjet e analizave.
Manastirliu: Situata paraqitet e qetë, pa komplikacione. Nga dita e diel dhe deri sot 370 qytetarë kanë marrë shërbim në spital. Vetëm sot janë paraqitur 60 qytetarë që pas shërbimit janë nisur në shtëpi. Tani janë edhe disa pacientë të tjerë që po marrin shërbim në urgjencë, rreth 30 qytetarë, adoleshentë, fëmijë dhe të rritur. Sa i takon investigimit, që në momentin e parë që jemi njohur me ngjarjen, të gjithë strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë, Bashkisë, Prefekturës e Policisë po hetojnë të gjitha pistat.
ISHSH dhe ISHP janë duke investiguar. Janë marrë mostrat laboratorike të ujit, të ushqimeve. Hetimi epidemiologjik po bëhet në të gjithë aspektet. Po pyeten të gjithë qytetarët se çfarë kanë konsumuar. Do të kemi një rezultat përfundimtar kur të kemi analizat. Rezultati ka një afat nga 24-72 orë se ka dhe analiza të tjera me bakteret. Ju garantoj se i gjithë sistemi shëndetësor është në gatishmëri të plotë që nëse do të ketë raste të shtuara, edhe spitali i Durrësit do të vihet në dispozicion për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve.
Spitali i Krujës me çfarë uji po furnizohet?
Manastirliu: Mesa di bashkia ka marrë masat. Drejtoresha mund të përgjigjet nëse ka ujë në spital.
Drejtoresha: Po kemi ujë të pijshëm nga depozitat.
Ndërsa, derisa të rikthehet furnizimi me ujë të pijshëm nga ujësjellësi, bashkia do të shpërndajë ujë për qytetarët me autobote.
Top Channel