Asociacioni i komunave me shumicë serbe është kthyer në një trysni për Kosovën, të cilës i kërkohet të gjejë një rrugë për krijimin e tij.
Madje BE-ja, që ndërmjetëson dialogun Prishtinë-Beograd këmbëngul se ky është një detyrim ndërkombëtar. Por drejtori i Programit për Paqen dhe të Drejtat në Universitetin Columbia, David Phillips thotë se Kosova duhet të kërkojë të drejta për shqiptarët e Preshevës siç kanë serbët në Kosovë.
Ai heq paralele mes gjendjes së serbëve në Kosovë dhe pakicës shqiptare në Serbi.
“Asociacioni është i tepërt. Kushtetuta e Kosovës parashikon një seri masash në mbrojtjen dhe promovimin e pakicave, të cilat po ashtu mbrohen nga parimet e Ahtisaarit. Marrëveshja që Thaçi kishte bërë për Asociacionin ishte e keqe që në fillim”, deklaroi Phillips, për mediat në Prishtinë.
“Por nëse Kosova ecën përpara me Marrëveshjen e Asociacionit ndaj së cilës është e detyruar, atëherë duhet të ketë një simetri me trajtimin që Serbia i bën pakicës shqiptare në Preshevë”, vazhdon eksperti.
Sipas Philips megjithatë, Asociacioni bart rrezik në vetvete sepse do të krijonte ndasi të mëdha në veri të vendit dhe do të minonte sovranitetin e vendit.
Në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti që shumë pika të kësaj marrëveshje janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Që nga ajo kohë, asgjë nuk është bërë në këtë drejtim pos, kërkesës së vazhdueshme të Serbisë që Prishtina zyrtare ta themelojë Asociacionin dhe kundërshtimi i vazhdueshëm i Prishtinës zyrtare që nuk lejojnë Asociacion në vija etnike.
Top Channel