Derbi konfirmoi kandidaturën e Tiranës për titull dhe krizën e Partizanit!

26/10/2021 14:54

Derbi luhet për t’u fituar dhe mbrëmja e të hënës i buzëqeshi Tiranës, që arriti suksesin ndaj Partizanit, duke u rikthyer te fitorja ndaj “demave” pas pesë takimeve, që nga shkurti i 2019-s. Pavarsisht tre pikëve, derbi luhet për lavdi, histori dhe krenari sepse në një Tirana-Partizani, pikët janë në plan të dytë gjatë 90 minutave.

Por tani, kur derbi ka përfunduar, vëmendja rikthehet menjeherë te renditja, aty ku Tirana kryeson e vetme pas gjashtë javëve, me tre pikë më shumë se Teuta dhe Kukësi, ndërsa në krahun tjetër humbja ndaj bardhebluve, e lë Partizanin në zonën e ftohtë, me vetëm katër pikë dhe për më tepër “të kuqtë” ende nuk kanë shijuar fitoren e parë sezonale .

Tirana dhe Partizani zbritën në “Air Albania” me dëshirën për të bërë mirë, por me fytyra të ndryshme, sepse Shehi kishte rikuperuar lojtarët e munguar në sfidat e kaluara, duke patur të plotë organikën, ndërsa Partizani dhe Daja u prezantuan në derbi me mungesa të rëndësishme. Atmosfera në shkallët e stadium dha menjëherë impaktin , me tifozët të cilët “ndezën” takimin ende pa u dhënë shkëndija e parë në fushën e lojës dhe përballë një publiku dhe pse me numër të kufizuar, ndeshja kishte tjetër puls.

Nuk ishte mbrëmja perfekte, e një futbolli argëtues, pasi cilësia e skuadrave ishte pothuajse në nivelin mesatar, me pak diferenca, por me një ritëm të kënaqshëm.  Dëshira për të mos e humbur ishte e dukshme te të dyja skuadrat dhe sfida u vendos nga episodet, që ishin me shumicë ashtu si kartonat, plotë gjashtë kartona të verdhë dhe një i kuq.

Problemi kryesor i të dyja skuadrave ishte finalizimi dhe nëse sulmi i Shehit u bllokua nga një mbrojtje e vëmendshme, në anën tjetër reparti ofensiv i Dajës nuk kishte aspak kiminë e duhur dhe rastet erdhën më shumë nga mesfusha.

Goli i Vesel Limajt, me penallti erdhi në një moment të përshtatshëm dhe ishte një dush i ftohtë për Partiznain, sepse pas rrjetës skuadrat u drejtuan pushimit mes pjesëve. Më shumë kohë për Shehin për të ndryshuar taktikën dhe të forconte idetë në mbrojtje, ndërsa Partizani duhej të rimerrte përsëri vetën pas pauzes mes pjesëve. Aspak e lehtë, sepse morali i Tiranës ishte dyfishuar, ashtu si përqëndrimi në mbrojtje, ndërsa “demat” ishin inekzistent në vijën e sulmit.

Përpara takimit, të gjithë protagonistët e derbit kishin pranuar se renditja nuk ishte faktor  i rëndësishëm, por klasifikimi nuk gënjen kurrë, sepse Partizani kishte dhe ka sulmin më të dobët ashtu si Skëndërbeu. Një fakt ky, sepse edhe në fraksionin e dytë “demat” ishin të pasaktë në portën e Bekajt duke mos gjetur rrjetën. Tirana nisi të mendonte më shumë për “lavdinë” me kalimin e minutave, duke mos gabuar dhe mos tentuar ndonjë aventurë për golin e dytë dhe në fund rezultoi e goditur sepse kryeqyteti tashmë është bardheblu, pas 32 muajsh pritje.

Në një sfidë ku diferencat ishin shumë minimale, por tani renditja thotë të kundërtën sepse pas gjashtë javëve diferenca midis të dyja skaudrave është +10 në favor të Tiranës duke i dhënë një goditje “demave” në përpjekje për t’u futur në ritmin e rivalëve direkt. Askush nuk mund të parashikojë të ardhmen, por tani Tirana ka hedhur kanditaturën për titullin kampion, ndërsa në krahun tjetër, menjëherë pas derbit Partizani ka nisur të mendojë fillimisht se si mund të dalë nga kriza për t’u rikthyer të fitorja e munguar në kampionat e më pas për të menduar që në derbin e ardhshëm të diskutohet për një duel direkt për titullin kampion. Sa mund të ndodh kjo? Koha dhe forma e skuadrave do ta tregojë./ SS

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA