Deputetet e PD-së: Kushtet e spitalit në Krujë, skandaloze! Helmimi ka prekur personat me imunitetin më të dobët

26/10/2021 13:39

Deputetet e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri dhe Dhurata Çupi janë aktualisht në spitalin e Krujës për të takuar banorët e prekur nga helmimi masiv.

Prezente është edhe deputetja e Krujës, Merita Bakiu, e fundit kjo që u shpreh se helmimi ka prekur qytetarët që kanë imunitetin më të dobët, kjo për shkak se brenda një familje me pesë anëtarë është vënë re që 3 janë helmuar dhe dy jo.

“Nuk e di në cilën sallë ka hyrë ministrja, por e ftoj të hymë vetëm të pjesa e urgjencës dhe të shohim kushtet. Nëse për ministren janë normale, nuk mund ta komentoj këtë pjesë.  Problemi është se brenda në familje nuk janë të sëmurë të gjithë njerëzit. Tek persona të afërt të rrethit familjarë janë të sëmurë 3 persona dhe dy nuk janë. Kjo varet nga imuniteti i trupit të njeriut”, tha Bakiu.

Nga ana tjetër deputetja e PD-së, Oriola Pampuri kujtoi faktin se ujësjellësi i Krujës u inagurua gjatë fushatës dhe është rezultat i një tenderi korruptiv, që sot po kërcënon seriozisht jetën e qytetarëve.

“Ajo që aludojmë deri tani është pikërisht uji dhe e lidhim me atë ujësjellës që Rama e inauguroi gjatë fushatës, në atë tenderin korruptiv të ujësjellësit. Nëse ministrja hedh poshtë që kushtet e spitalit nuk janë ashtu siç deklaroi kolegia ime, janë ashtu dhe mos më keq. Ne kemi vizituar të sëmurë që po marrin serume dhe kushtet janë skandaloze. Mos bëjmë show, mos tjetërsojmë lajme, se duke mos i tjetërsuar ato ndihmojmë njerëzit. Sot është prekur jeta e qytetarëve”, tha Pampuri.

Top Channel