Stërvitja e përbashkët detare kineze dhe ruse, në të cilën një flotilje prej 10 luftanijesh i erdhi rrotull në një distancë të afërt ishullit kryesor të Japonisë, u përshkrua nga të dy vendet si mënyrë për të siguruar stabilitet në një rajon të paqëndrueshëm.
Por analistët, thotë CNN, mendojnë se stërvitje të tilla ka të ngjarë të kenë efektin e kundërt, e të shërbejnë si shkëndijë për rindezjen e tensioneve rajonale. Qeveria japoneze sakaq po flet për rritjen e shpenzimeve ushtarake me qëllimin t`i kundërvihet, siç thotë, agresionit kinez.
Gjatë manovrave të cilësuara si patrullimi i parë i përbashkët detar Kinë-Rusi në Paqësorin perëndimor, anijet lundruan përmes ngushticës Tsugaru që ndan ishullin kryesor të Japonisë dhe ishullin e saj verior të Hokkaido-s.
Më pas, ato janë nisur drejt bregut lindor të vendit dhe u kthyen drejt Kinës nëpërmjet ngushticës Osum. Edhe pse në të dyja këto ngushtica lejohet kalimi i anijeve të huaja duke qenë se ujërat atje konsiderohen ndërkombëtare, Japonia e ndoqi lëvizjen e tyre më vëmendje maksimale. Eksperti ushtarak Drew Thompson mendon se kjo situatë do të forcojë bindjen e japonezëve se Kina përbën një kërcënim potencial për ta.
“Për këtë arsye vendi konsideron se duhet të rrisë shpenzimet e mbrojtjes dhe gatishmërinë e përballjes me Pekinin”, shprehet ai. Në një deklaratë të saj, vetë ministria japoneze e mbrojtjes i përshkroi manovrat si “të pazakonta”.
Flotilja Kinë-Rusi përbëhej nga pesë luftanije prej secilit vend, përfshirë këtu destrojerë, fregata, korveta dhe anije mbështetëse.
Top Channel