“Shënuam katër gola dhe e gjithë bota u dëfrye”. Ishin këto fjalët e Robert Lewnadowskit pas fitores 4-0 ndaj Hoffenheimit, në Bundesligë.
Në fakt, e njëjta gjë kishte ndodhur edhe në ndeshjen e Championsit kundër Benficas apo një javë më parë në kampionatin gjerman kundër Bayer Leverkusenit.
Bayerni është një rul që i shtyp me gjithë forcë të gjithë rivalët që i dalin përpara, me ndonjë përjashtim të rrallë. Përfaqëson ekipin tipik gjerman, filozofinë e një skuadre që nuk dorëzohet e as toleron në fushë.
Nga fitorja në fitore, futbollistët e drejtuar nga Julian Nagelsmann mund të shënojnë katër, pesë… aq gola sa duan. Deri në këto momente, asnjë ekip në ligat kryesore europiane nuk i afrohet rekordit të kampionëve në fuqi të Bundesligës. Në 12 ndeshje mes Bundesligës dhe Championsit kanë shënuar 45 gola. Mesatarisht 3.7 gola për ndeshje.
Skuadrat kryesuese në kampionatet elitare
LaLiga/Real Madrid: 24 gola në 9 ndeshje
Premier League/Liverpool: 27 gola në 9 ndeshje
Bundesliga/Bayern Munich: 33 gola në 9 ndeshje
Serie A/Inter Milan: 24 gola në 9 ndeshje
Ligue 1/PSG: 24 gola në 11 ndeshje
Deri më tani, asnjë ekip nuk ka arritur të shënojë 33 gola në nëntë ndeshjet e para në kampionatet respektive. Fitorja më e thellë e Bayernit në kampionat është arritur ndaj Bochumit, 7-0. Një fakt për të kuptuar aftësinë shënuese të ekipit bavarez mjafton të kujtojmë që në 56 ndeshjet e fundit të Bundesligës ata kanë shënuar gjithsej 174 gola.
Fillimi i sezonit të Bayernit është me një ritëm të shfrenuar. Pengesat e vetme ishin Gladbachu, me të cilin barazoi në ndeshjen e parë të kampionatit (1-1) dhe Eintrachti i Frankfurit, që e mposhti 1-2 “Allianz Arena”. Të tjerat janë vetëm fitore.
Lewandowski, një nga kandidatët për Topin e Artë, po tregon arsyen e nominimit të tij. Fitoi Këpucën e Artë sezonin e kaluar me 41 gola, duke thyer rekordin e Gerd Mullerit (40 gola) për numrin e golave gjatë një sezoni në kampionat.
Në sezonin aktual ka arritur kuotën e 17 finalizimeve në vetëm 13 ndeshje në të gjitha garat, me një mesatare prej 1.30 gola për ndeshje.
Top Channel