PD padi në Kushtetuese/ Kundërshton vendimin e Kuvendit për mos nisjen e hetimit të çështjes “Becchetti”

25/10/2021 15:21

Partia Demokratike i kërkoi sot Gjykatës Kushtetuese të kthehet në arbitër për zgjidhjen e konfliktit të krijuar nga Parlamenti, i cili bllokoi ngritjen e Komisionit Hetimor Becheti.

77 votat e mazhorancës socialiste që penguan hetimin parlamentar vlerësohen nga demokratët si vendim antikushtetues që duhet rrëzuar.

“Në dy dekada është traditë normale që nuk ka nevojë për miratimin e asnjë force politike, komisionet hetimore me ¼ e deputetëve mblidhen dhe kjo mjafton është e legjitimuar për të ngritur komisionin hetimor. Rama ka frikë të hetojë. Kjo është çështja dhe 120 milionët ne do të luftojmë deri në fund që të mos ta paguajnë shqiptarët por ta paguajnë shkaktarët, “Rama and company”, u shpreh Grida Duma.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike sqaroi arsyet sepse opozita u vu në lëvizje në këtë moment në një kohë që vendimi i zbardhur i Gjykatës së Arbitrazhit është bërë që në muajin prill.

“Asokohe kur vendimi u bë publik Partia Demokratike ka depozituar një kallëzim në SPAK për përgjegjësit e kësaj afere 120 milionë Euro. Këtu bëhet fjalë për një hetim Parlamentar, për të përcaktuar përgjegjësitë administrative secilit prej zyrtarëve publikë dhe për t’i përballur ato me pasojat financiare që sjell ky vendim”.

Me protokollimin e padisë, Gjykata Kushtetuese ka tre muaj kohë për të vendosur për konfliktin politik mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste që bllokoi përmes forcës së kartonëve në Parlament ngritjen e Komisionit Hetimor Becheti.

Top Channel