Caktimi i Christopher Hill dhe diplomatëve të tjerë të rëndësishëm në rajon nga administrata e Joe Biden, vazhdon të bëjë jehonë në Kosovë. Profesor doktor Enver Bytyçi i cilësoi pesë emërimet e reja të Bidenit si “një artileri diplomatike”.

Një e tillë që nuk ishte stacionuar në rajon përveç periudhës së luftërave në Bosnjë-Hercegovinë e sidomos në Kosovë. Christofer Hill emërohet në Beograd, aty ku gjendet nyja e zgjidhjes së konflikteve ballkanike. Është personi që ka negociuar me Millosheviçin dhe Kim Jung-un e Koresë së Veriut. Është dinozaur i diplomacisë amerikane. Për nga autoriteti diplomatik praktik e kalon edhe sekretarin e Shtetit të SHBA-ve”, tha Bytyci për “Bota Sot”.

Sipas tij, është e qartë se Vuçiç dëshiron një konflikt të ri në rajon. Në mentalitetin serb, ky vend fiton në luftë dhe humbet në paqe. Kjo lloj mendësie e ka shoqëruar kombin serb prej shumë kohësh, vazhdon eksperti.

Ai mendon se amerikanët tashmë e kanë kuptuar lojën e Beogradit, i cili po ndjek një politikë të një konflikti të ri në Ballkan.

SHBA-ja tani e di se Presidenti serb dhe qeveria serbe kanë gënjyer se do të shkëputeshin nga Rusia dhe në fshehtësi jo vetëm kanë bashkëpunuar me Moskën, por edhe kanë përgatitur projektin e shkatërrimit të shteteve ballkanike të krijuara nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë.

Bytyçi shton se Serbia po synon ta realizojë në veri të Kosovës të njëjtin skenar me atë të Rusisë në Krime.

Top Channel