Çështja ‘Becchetti’, PD padi në Gjykatën Kushtetuese për mosngritjen e Komisionit Hetimor, Duma: Rama ka frikë të hetojë!

25/10/2021 10:50

Ditën e sotme, nënkryetarja e PD-së, Grida Duma dhe Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, në emër të PD depozituan pranë Gjykatës Kushtetuese padinë ndaj Kuvendit, për mosngritjen e Komisionit Hetimor parlamentar për çështjen “Beccheti”.

Në një deklaratë për mediat, Grida Duma akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka frikë të hetojë këtë çështje, duke theksuar se PD do t’i shkojë deri në fund dhe do të luftojë që borxhin prej 120 mln euro që ka Shqipëria për këtë çështje, do e paguajnë shkaktarët e saj, dhe jo qytetarët.

Grida Duma: Kemi çuar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese sa i përket hapjes së çështjes ‘Becheti’. Padyshim fitorja e parë e PD është fakti që ata treguan publikisht që nuk miratojnë dot një komision hetimor sepse është e qartë se është një çështje e humbur. Është e qartë pse, sepse në dy dekada është traditë normale që kjo nuk ka nevojë për miratimin e asnjë force politike. Komisionet hetimore me ¼ e firmave të deputetëve mblidhen dhe kjo mjafton për të ngritur komisionin hetimor. Padyshim që PD nuk kënaqet dhe nuk mundet të ndalojë thjeshtësisht te një fitore publike dhe hapur qartë Rama ka frikë të hetojë sepse e di që është i dështuar, shkaktar dhe përgjegjës për 120 mln euro, arsyeja për të cilat komisioni hetimor ekziston megjithëse po vonohet por nuk pengohet plotësisht. Shqipëria është e vonuar në shumë aspekte por le të përpiqemi të mos jetë komplet një çështje e harruar. Këtë do të bëjmë sepse 120 mln euro i arbitrazhit ndërkombëtar që ndëshkon Shqipërinë dhe shkaktar është keqqeverisja e Ramës, për shkak se politika merr hak politikisht ndaj një media, ndaj një investitori, etj etj, duke ndikuar edhe te gjykatat që në përfundim marrin vendime që ndëshkuara nga gjykatat ndërkombëtare. Do luftojmë që të mos e paguajnë shqiptarët por Rama ‘and company’.

Ndërkaq, sekretari i përgjithshëm u shpreh se PD ka depozituar në SPAK kallëzimin për aferën e 120 mln eureve që në muajin prill, duke paraqitur të gjitha faktet.

Bardhi: Asokohe kur vendimi u bë publik PD ka depozituar një kallëzim në SPAK për përgjegjësit e kësaj afere 120 mln euro. Këtu bëhet për një hetim për të përcaktuar përgjegjësinë administrative se cilit prej zyrtarëve publik dhe për ti përballur me pasojat financiare që sjell ky vendim. Përsa i përket aksionit tonë, që në prill që janë depozituar faktet kemi depozituar kallëzim në SPAK, kemi ndjekur të gjitha rrugët institucionale. Në shtator kur jemi rikthyer në parlament kemi paraqitur kërkesën për komision hetimor.

Më 14 tetor, Kuvendi vendosi që të miratonte ngritjen e komisionit hetimor për “25 prillin”  me 123 vota pro, dhe rrëzoi, ashtu siç kishte paralajmëruar Rama, komisionin për “Becchettin” me 46 vota pro dhe 77 kundër.  PS e ka konsideruar ngritjen e këtij Komisioni Hetimor se është në kundërshtim më ligjin.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel