Biden, përpjekje për t’i dhënë formën përfundimtare paketës së shpenzimeve sociale

25/10/2021 09:29

Presidenti amerikan Joe Biden po takohet në Dellauer të dielën me dy senatorë demokratë në një përpjekje për t’i dhënë formën përfundimtare një pakete që përfshin shpenzime në fushën sociale, si dhe për projekte mbi klimën, përpara se ajo të paraqitet të hënën në Kongres.

Zoti Biden po takohet me udhëheqësin demokrat të Senatit Chuck Schumer, si dhe senatorin Joe Manchin, një nga dy ligjvënësit kryesorë që ka bërë thirrje për reduktim drastik të planin origjinal të presidentit prej 3.5 trilionë dollarësh, ku propozohet zgjerimi më i madh i përfitimeve që kanë marrë familjet amerikane në pesë dekada.

Në kushtet kur Senati prej 100 anëtarësh është i ndarë në mënyrë të barabartë mes republikanëve dhe demokratëve, votat e senatorit Manchin dhe senatores Kyrsten Sinema, dy anëtarët më të moderuar të grupit demokrat, shihen si çelësi për miratimin e ligjit, që do të kërkonte gjithashtu edhe votën e Nënpresidentes Kamala Harris, në rast të një votimi 50 me 50. Aktualisht, asnjë republikan nuk e mbështet ligjin.

Presidenti Biden shpreson të arrijë marrëveshje këtë javë duke pranuar që ta reduktojë faturën e tij në rreth 2 trilionë dollarë ose më pak.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, tha për rrjetin televiziv CNN se deri tani është rënë dakord për 90% të paketës dhe se ajo po plotësohet me detajet përfundimtare para se të paraqitet të hënën.

“Jemi pothuajse në fund”, tha ajo.

Zonja Pelosi tha se pavarësisht nga gjasat që paketa e shpenzimeve të jetë më e vogël krahasuar me atë që propozoi zoti Biden fillimisht, ajo do të jetë gjithsesi “më e madhe se gjithçka që kemi bërë ndonjëherë për të ndihmuar familjet amerikane”, siç tha ajo.

Zonja Pelosi tha gjithashtu se Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë më vonë këtë javë edhe për një ligj mbi infrastrukturën prej një trilion dollarësh, i cili gëzon mbështetje dypalëshe dhe që është miratuar tashmë nga Senati.

Ligji mbi infrastrukturën u mbështet nga 19 republikanë në Senat dhe mori votat e të 50 senatorëve demokratë, por ligjvënësit demokratë progresistë e bllokuan miratimin e tij në Dhomën e Përfaqësuesve, derisa të arrihet një marrëveshje mbi paketën e shpenzimeve sociale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA